Protestojnë bizneset në Prevallë pas bllokimit të rrugës

0
602

Pronarët e bizneseve afariste në Prevallë dhe banorët e fshatit Gornjesellë, të dielën kanë protestuar për shkak të bllokimit të rrugës Gornjesellë- Prevallë, si rrjedhojë e punimeve nga ministria e Infrastrukturës për evitimin e rrezikut nga rrëshqitjet e vazhdueshme të dheut dhe gurëve.

Pronarët e bizneseve, Burim Sallauka dhe Jahir Hasani, thonë se si pasojë e pandemisë ato janë goditur rëndë, dhe bllokimi i këtij aksi rrugor veçse iu ka thelluar vështirësitë përfshirë edhe udhëtimin e punëtorëve të tyre. Ata kërkojnë zgjidhje të këtij problemi sa më shpejt që është e mundur. Pas lirimit të masave kanë filluar të vijnë vizitorë, mirëpo me bllokimin e rrugës ne rrezikojmë edhe mbylljen e lokaleve, ankohen ata Të njëjtat telashe i kanë edhe banorët e Gornjesellës.

Sipas përfaqësuesit të fshatit, Bajram Bajrami, ministria duhet të ketë parasysh situatën që të mos bllokohet plotësisht lëvizja e banorëve, dhe se përveç punimeve duhet të mundësohet edhe qarkullimi i automjeteve dhe lëvizja e banorëve. Ferit Tafallari, zyrtar i ministrisë së Infrastrukturës tha se mbyllja e këtij aksi rrugor për shkak të zhvillimit të punimeve me qëllim të evitimit të rrezikut nga rrëshqitjet e vazhdueshme të dheut dhe gurëve, ndërsa njoftoi se gjatë javës kjo ministri pritet të marrë një vendim për lejimin e qarkullimit të automjeteve të lehta.

Ndryshe, të mërkurën ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se një pjesë e rrugës rajonale Prizren – Prevallë, nga fshati Gornjesellë deri në Prevallë, nga data 2 korrik do të jetë e mbyllur për qarkullim të të gjitha automjeteve, për shkak të zhvillimit të punimeve në evitimin e rrezikut nga rrëshqitjet e dheut dhe gurëve./TvPz

Leave a Reply