Pogba drejt largimit nga “Old Trafford”, Reali propozon një shkëmbim të bujshëm

0
260

Më 8 gusht të 2016-ës Manchester United pagoi plot 110 milionë euro në arkat e Juventusit, për të rikthyer në “Old Trafford” mesfushorin francez Paul Pogba, i cili pas thuajse 5 sezonesh me fanellën e “djajve të kuq” është gati të largohet sërish.

Mesfushori ka pasur probleme të shumta, fillimisht me Mourinhon dhe tani me Solskjaer, ku nuk po luan si titullar, ndërsa së fundi ishte menaxheri i tij Mino Raiola që e bëri të qartë publikisht se Pogba nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën që skadon më verën e 2022-shit.

Në një situatë të tillë, drejtuesit e Manchester United duket se janë dorëzuar dhe kanë nisur punën për shitjen e francezit, që kërkohet nga klube të ndryshme me Real Madrid e Paris Saint Germain në krye të listës.

Megjithatë kriza ekonomike e shkaktuar nga Covid-19, kontrata drejt skadencës, por edhe forma e dobët në dy vitet e fundit, ka bërë që asnjë klub të mos jetë i gatshëm të paguajë më shumë se 55-60 milionë euro për kartonin e mesfushorit francez, praktikisht vetëm gjysmën e shifrës që Manchester United pagoi në 2016-ën për të blerë Pogba.

Pikërisht për këtë arsye, shefi ekzekutiv i “Djajve të kuq”, Ed Woodward është më i prirur të bëjë një shkëmbim me Pogba, sesa ta shesë me bilanc negativ, ndaj po merr në konsideratë emra si Paulo Dybala e së fundi edhe Eden Hazard.

Ky i fundit iu bashkua Realit të Madridit verën e 2019-ës, por dëmtimet e shpeshta e kanë lënë më shumë në infermieri sesa në fushë, ku ka luajtur shumë pak dhe nuk ka arritur të lërë gjurmë me fanellën e “Los Blancos”.

Florentino Perez pagoi më shumë se 100 milionë euro për kartonin e belgut dhe do të ishte i lumtur ta këmbente kokë më kokë me Pogba, pasi dëmtimet e shpeshta të Hazard dhe fakti që në janar do të festojë ditëlindjen e 30, lë pak shpresa për një rikthim të tij në nivelet e pritshmërive.

Hazard është një emër që josh edhe trajnerin Solskjaer e drejtuesit e Manchester United, pasi belgu është një ekspert i kampionatit anglez, ku ka luajtur për shumë sezone me Chelsean dhe do të shtonte cilësinë e eksperiencën në repartin e avancuar, ku “djajtë e kuq” kanë shumë elementë të rinj./SS

Leave a Reply