A janë vezët të shëndetshme, sa të tilla mund të konsumoni në ditë?

0
442

Vezët janë një nga ushqimet më të gjithanshme që ekzistojnë, mund t’i gatuani në mënyra të panumërta, ju mbajnë të ngopur për orë të tëra dhe janë një burim energjie, të mbushura me proteina dhe lëndë të tjera ushqyese që mbrojnë sytë, muskujt dhe shëndetin e kockave.

Pavarësisht të gjitha këtyre përfitimeve, vezët kanë fituar pak dhe një reputacion jo shumë të mirë për shkak të kolesterolit të lartë që gjendet në të verdhat e tyre. Informacionet janë ngatërruese: një javë vezët janë plotësisht të shëndetshme dhe javën tjetër duhet të ndalojmë së ngrëni vezë.

Por, a mund të jenë vezët pjesë e një diete të shëndetshme?

Nëse zakonisht keni një shëndet të mirë dhe nuk vuani nga sëmundje të zemrës apo kolesteroli i lartë, vezët mund të jenë pjesë e një diete të shëndetshme nëse konsumohen në mënyrë të moderuar. Vezët janë të mira për ne për një sërë arsyesh të ndryshme, janë të paprocesuara, të pasura në proteina, kanë pak kalori dhe përmbajnë yndyrna të shëndetshme dhe lëndë të tjera ushqyese.

Një vezë siguron 6 gram proteina, afërsisht aq sa gjendet në 30 gram mish viçi, pule apo peshku, si dhe lëndë të tjera ushqyese si vitamina A, vitamina B12, vitamina B6 dhe sasi të vogla hekuri dhe vitamine D, të gjitha këto për 77 kalori.

Vezët janë gjithashtu relativisht të lira krahasuar me burime të tjera të proteinës, si mishi, peshku apo arrat. Gjithashtu ato të japin një ndjenjë ngopjeje, që ju ndihmon të mos ndiheni të uritur ndërmjet vakteve.

Sa vezë mund mund të konsumohen në ditë?

Nuk ka një numër magjik për sa i përket se sa vezë mund të hash në ditë. Kjo varet nga një sërë faktorësh, që përfshijnë biologjinë tuaj dhe ushqimet e tjera që konsumoni gjatë ditës.

Sipas ekspertëve, vezët, ashtu si dhe pothuajse çdo ushqim tjetër, nëse konsumohen në një mënyrë të moderuar, mund të jenë shumë mirë pjesë e një diete të shëndetshme ushqimore.

Kështu, konsumimi i shumë vezëve në ditë është diçka e pashëndetshme, por nëse konsumoni deri në dy apo tre në ditë, me shumë mundësi kjo nuk do të shkaktojë probleme.

Por, kujdes duhet të tregojnë personat që kanë probleme me kolesterolin apo vuajnë nga sëmundje të zemrës. Nëse keni këto probleme dhe nuk ju pëlqejnë vezët, mund t’i largoni plotësisht nga dieta juaj. Nëse ju pëlqejnë dhe nuk mund të bëni pa to, ekspertët këshillojnë që të hani sa më pak të mundeni, mundësisht të hani deri në maksimumi një vezë në ditë.

Këtu ndikon dhe pjesa tjetër e ushqimeve në dietën tuaj ushqimore. Nëse tregoni kujdes edhe burimet e tjera të kolesterolit në ushqimet që konsumoni mund të tregoni pak më pak kujdes me konsumimin e vezëve.

Leave a Reply