Ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje/ Partitë pro ndryshimit, shoqëria civile tregon modalitetet

0
233

Lëvizja Vetëvendosje në seancën e parë pas mbajtjes së Zgjedhjeve Lokale paralajmëroi ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.

Mimoza Kusari-Lila, ushtruese e detyrës së GP-të Vetëvendosjes, nga foltorja e Kuvendit u bëri thirrje shoqërisë civile e opozitës që t’i bashkohen kësaj nisme.

Nga shoqëria civile për Front Online kanë thënë se duhet të ketë një reformë të thellë zgjedhore në mënyrë që të tejkalohen defektet në sistemin zgjedhorë aktual.

KDI: Duhet të ndryshohet korniza ligjore e Ligjit për Zgjedhje në aspektin teknik dhe politik

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë për Front Online se duhet të ndryshoj korniza ligjore si në aspektin teknik ashtu edhe në atë politik.

“Ne si shoqëri civile kemi avokuar vazhdimisht për një rishikim të plotë të gjithë kornizës ligjore duke përfshirë si aspektin teknik të organizimit të zgjedhjeve, por duke mos përjashtuar edhe hapjen e pjesës politike”, ka thënë Cakolli për Front Online.

Cakolli: Të rishikohen zonat zgjedhore, lista e votuesve, kuota gjinore dhe pragu zgjedhorë

Cakolli ka thënë se duhet të rishikohen zonat zgjedhore, kuota gjinore, vota preferenciale, rritja e pragut për përfaqësim në Kuvend për Subjektet politike si dhe mënyra e zgjedhjes së deputetëve.

“Duhet të bëhet rishikimi i zonave zgjedhore, listave, kuotës gjinore, votës preferienciale në mënyrë që të ketë reflektim sa më të drejtë të vullnetit qytetarë dhe të ketë sistem sa më të thjeshtë të votimit në mënyrë që të ketë sa më pakë vota të pavlefshme dhe që qytetarët të mos ndihen të pa përfaqësuar në institucionin legjislativ, poashtu mund të shihen modalitete të ndryshme, coftë rritjes së pragut për subjeket polititike, kandidatët, koalicionet në varësi të dakordimit opo edhe të rishikimit të zgjedhjes së vet deputetëve”, ka thënë ai.

Kërkohet heqja e votimit me kusht

Eugen Cakolli ka thënë se votimi me kusht do të duhej të hiqej pasi i ka humbur relevanca tashmë.

“Në radhë të parë kemi votimin me kusht i cili do të duhej të hiqej meqenëse tashmë ka humbur relevancën”, ka thënë ai.

Në proceset zgjedhore ka pasur vazhdimisht polemika të votimi me postë.

Cakolli propozon që në kuadër në ndryshimeve që do të duhej të merreshin praktika nga vendet e tjera, ku do të mund të votohej me postë për Zgjedhje Nacionale, por jo edhe për Zgjedhjet Lokale.

“Poashtu do të duhej që të shiheshin modelet e vendeve të tjera të cilat aplikojnë votimin vetëm për një palë zgjedhje, por jo edhe për ato lokale për shkak se çështja e votimit jashtë vendit është shumë më komplekse sesa, votimi jashtë vendit”, është shprehur Cakolli.

VV: Ndryshimin e Ligjit të Zgjedhjeve e kemi zotim, mirëpresim idetë e të gjithëve

Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, tha për Front Online se nuk kanë ende detaje se çfarë ndryshime do të pësoj ky Ligj.

“Nuk është se është hapur kjo temë në përmasat e asaj se çka do të kemi por paraprakisht besoj që do të hapet një debat që është shumë më i gjerë jo vetëm idetë e tona, por një debat ku do të shihet se ku janë defektet e sistemit zgjedhorë”, ka thënë ai.

Abrashi tutje ka rikujtuar se është zotim i VV-së, por që duhet një debat ku do të jenë të përfshirë të gjithë akterët politik si dhe shoqëria civile.

“Ndryshimi i Ligjit të Zgjedhjeve është zotim i yni zgjedhorë po për detaje nuk mund të them, mendoj që na duhet një debat më i gjerë me të gjithë akterët e përfshirë”, ka thënë ai.

Ndërsa nga partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), janë shprehur të gatshëm të kontribuojnë në këtë temë.

PDK: Duhet reformë e thellë zgjedhore, por jo imponim nga VV-ja

Deputeti i Partisë Demokrtaike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, tha se duhet një reformë e thellë zgjedhore, por që duhet konsensus midis opozitës dhe pozitës.

“Është më shumë se e domosdoshëm që të ketë reformë zgjedhore mendoj që kemi kohë të mjaftueshme që të kemi një reformë të thellë zgjedhore por që normalisht që duhet të ketë një konsensus midis opozitës dhe pozitës në mënyrë që ajo reformë të jetë në funksion të avancimit të procesit zgjedhorë”, ka thënë ai.

Beqa është shprehur kundër imponimit të kësaj teme nga partia që ka shumicën në Kuvend, VV-ja.

“Por kjo asesi nuk duhet të bëhet sikurse u tentua në të kaluarën kur VV-ja tentoi në mënyrë klandestine t’i bëjë ndryshimet në atë seancën për zgjedhjen e presidentes”, ka thënë ai.

AAK: Duhet bashkëpunim në ndryshimet e Ligjit për Zgjedhje

Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në parim janë për ndryshimet në Ligjin për Zgjedhje, por që, sipas tyre, duhet të ketë më shumë bashkëpunim.

Deputetja nga AAK-ja, Albana Bytyqi ka thënë për Front Online ka thënë se duhet të shikohen në detaje propozimet, në mënyrë që ndryshimet që bëhen të jenë të duhurat.

“Ne si parti jemi për ta ndryshuar ketë ligjin , mirëpo duhet njëherë të rishikohet dhe ta shohim nen për nen edhe në bashkëpunim të përpunojmë dhe të dalim me një Ligj ashtu siç duhet”, ka thënë Bytyqi.

Front Online ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) por të njejtit nuk i janë përgjigjur interesimit të portalit lidhur me këtë temë.

Për ndryshimin e Ligjit të Zgjedhjeve duhet të ketë konsensus në Kuvendin e Kosovës pasi duhet votat e shumicës së deputetëve 81 vota dhe poashtu pajtueshmëri edhe të komuniteteve joshumicë./Front Online

Leave a Reply