Milot Krasniqi, anëtar i Këshillit Drejtues të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe profesor asistent në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ka bërë me dije se u është drejtuar me email Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, pas aktgjykimit ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi ka thënë se vendimi nuk është dhënë në emër të tij, duke kundërshtuar deklaratën se aktgjykimi është shpallur në emër të popullit të Kosovës.
“Meqë Gjykata Speciale nuk i sheh postimet tona, sot iu drejtova me email, që ta dijë qartë se drejtuesit e UÇK-së nuk u shpallën fajtorë në emrin tonë. Jo në emrin tim”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se babai i tij ende mbart në trup nëntë plagë dhe 34 copa nga minahedhësi serb.
“Sot, një aktgjykim u shpall ‘në emër të popullit të Kosovës’. Por unë jam biri i këtij populli. Jam biri i atij babai”, ka shkruar ai.















































