Shqipëri, nis vaksinimi i punonjësve të transportit publik

0
394
Foto: Ilustrim

Në Shqipëri po vijon vaksinimi i kombinuar i grup-moshës mbi 60-vjeç me punonjësit e shërbimeve kritike.

Sot nisi grupi i ri që do të vaksinohet, që janë punonjësit e transportit publik, ku janë parashikuar të vaksinohen mbi 4700 punonjës.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se në tërësi janë mbi 4700 të punësuar dhe vetëpunësuar, të cilët do të vaksinohen.

“Sot kemi filluar me një tjetër grup risku, që janë punonjësit e transportit publik qytetas dhe ndërqytetas. Kemi filluar sot në të gjithë Shqipërinë. Janë kryesisht punonjës të transportit publik dhe gjithashtu edhe shoferët e taksive. Në tërësi janë mbi 4700 të punësuar dhe vetëpunësuar dhe organizimi po bëhet nëpërmjet shoqatave dhe me Drejtorinë e Rrugëve dhe të Transportit”, tha Manastirliu.

Ajo ka bërë të ditur se do të vijojë vaksinimi i kombinuar, i personave mbi 60-vjeç me punonjësit e shërbimeve kritike, teksa shtoi se me mbërritjen e dozave të tjera të vaksinës së Sinovac, pritet të ulet edhe fasha e grup-moshës për vaksinimet.

Më shumë se 250 mijë qytetarë kanë kryer edhe dozën e dytë të vaksinës. Po ecim me ritme të mira drejt objektivit 1 milion vaksinimeve deri në fund të qershorit, duke vijuar kalendarin tonë të vaksinimit të kombinuar dhe sigurisht duke synuar uljen e grup-moshës nën 60-vjeç”, nënvizoi Manastirliu.

Kryeministri Edi Rama ndërkaq ka bërë të ditur se Komiteti Teknik i Ekspertëve do të dalë nesër me planin e ri, me lehtësim të mëtejshëm të masave.

“Nesër Komiteti do të dalë me planin e ri, me lehtësim të mëtejshëm të masave dhe ambicia jonë për të pasur një sezon turistik shumë më të lehtësuar se ai i vitit të kaluar besoj që do të përmbushet”, tha Rama.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer mbi 11 mijë vaksinime, ndërsa që prej fillimit të procesit të vaksinimit në Shqipëri janë kryer në total 736.365 doza të vaksinës antiCOVID. Prej tyre 258.606 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.

Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar në të gjithë vendin.

Leave a Reply