SHBA-ja-Kurtit: Marrëveshja me Serbinë për njohje të ndërsjellë, thelbësore për Kosovën

0
288

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i ka dërguar një letër urimi Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet së cilës e ka përgëzuar atë dhe popullin e Kosovës për zgjedhjet e suksesshme dhe demokratike, të mbajtura më 14 shkurt. Ai ndër të tjera ia ka përmendur edhe dialogun me Serbinë duke shtuar se ai është thelbësor për ecjen e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.

Sipas njoftimit për media të dërguar nga Zyra e Kryeministrit, Blinken ka shkruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur formimin e qeverisë së re dhe se presin të punojnë ngushtë për të siguruar, siç ka thënë ai, që Kosova sovrane, e pavarur, shumë-etnike dhe demokratike të zë vendin e saj si partner i barabartë në familjen euro-atlantike.

“Sekretari Blinken i ka mirëpritur zotimet e kryeministrit Kurti për luftimin e korrupsionit, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe rikuperimin nga pandemia COVID-19, si edhe përpjekjet e tij për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës”, ka thënë ai.

Më tej, në letër ai ka thënë se sigurimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë është thelbësore për Kosovën që të arrijë potencialin e saj të plotë dhe të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Do të keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim, ka thënë sekretari Antony J. Blinken”, thuhet në njoftim./Koha

Leave a Reply