Quni thotë se janë të gatshëm ta ndihmojnë Qeverinë Kurti për situatën me pandeminë

0
21

Kandidat për kryetar të komunës së Prizrenit nga LDK-ja, Anton Quni, tha se është i pakënaqur me menaxhimin e pandemisë, prandaj është i gatshëm ta ndihmojë Qeverinë për këtë çështje.

Duke folur për planin e tij qeverisës, Quni tha se do t’ia kthejë shkëlqimin dhe dinjitetin Prizrenit.

Sipas Qunit, me qeverisjen e tij në katër vjetët e ardhshme, Prizreni do të jetë ndër qytetet më të preferuara për të jetuar.

“Janë bërë 11 vjet që jam aktiv në skenën politike duke ushtruar detyra dhe përgjegjësi të ndryshime si në Parlamentin e Kosovës po ashtu edhe në ekzekutiv. Si kryetar i LDK-së dega në Prizren nga dega ime më është dhënë edhe një përgjegjësi që të sfidohem në garën për zgjedhjet lokale si kryetar i komunës”, tha Quni për EO.

“Duke njohur problematikën e Prizrenit, qytetarëve nevojat e tyre natyrisht se me programin qeverisës që ofron LDK-ja ne do të jetësojmë të gjitha nevojat për të cilat qytetarët janë të interesuar, filluar nga shërbimet e ndryshme deri tek projektet kapitale të cilat Prizrenit do t’ia kthejnë shkëlqimin dhe dinjitetin që ka pasur në çdo kohë. Ne do e shpalosim programin tonë qeverisës, i cili do të jetë i kapshëm në shërbim të qytetarëve. Prizreni do të jetë ndër qytetet më të preferuara për të jetuar”, shtoi ai.

Ndërsa, sa i përket situatës me pandeminë, ish-ministri i Mbrojtjes, tha se vetë fakti që ka numër të madh të infektuarve është e mjaftueshme që të kuptohet se Qeveri duhet të marrë masa urgjentisht.

“Shifrat flasin vetë. Përkundër kësaj që jemi duke u përballur me momentet më të vështira që nga koha kur është paraqitur pandemia te ne. Por vetë fakti që kemi aq numër të madh të infektuarve është e mjaftueshme që të kuptohet se kjo qeveri duhet të marrë urgjentisht masa adekuate për mbrojtjen e qytetarëve. Nëse nuk munden le të kërkojnë ndihmë, ne jemi të gatshëm të ndihmojmë. Për fat të mirë në FSK është duke u zbatuar plani gjithëpërfshirës i tranzicionit”, përfundoi Quni.

Leave a Reply