Mustafa tregon ‘pse u hoqën vijat e kuqe ndaj PDK-së’, flet për ‘mini-shengenin’, aktakuzat nga Specialja dhe Vjosa Osmanin

0
53

Ndonëse nuk është biseduar për një qeveri gjithëpërfshirëse, Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka hequr të gjitha vijat e kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se vijat e kuqe ndaj PDK-së u hoqën për shkak të vështirësive për të bërë zgjidhje, derisa gjatë një interviste dhënë për KosovaPress, ai ka folur edhe për çështjen e postit të presidentit.

Mustafa ka folur edhe për aktakuzat e ngritura nga Gjykata Specialja e për çka tashmë ka nisur edhe arrestimet e para.

Ai tregoi se pse ndërroi qëndrim rreth mini-shengenit, ku theksoi se është duke bërë kujdes.

“Sa i përket disa elementeve të mini-shengenit, unë vazhdoj të jemi i kujdesshëm aty që në implementim të mini-shengenit ne mos të futemi që ta institucionalizojmë mini-shengenin si një formë organizative të këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor… Ndërkaq sa i përket lehtësimit të mënyrës së të bërit biznes, të qarkullimit të mallrave, të njerëzve – mendoj që neve na përshtatet dhe na bën mirë. Themi si koncept i zonës së përbashkët ekonomike që kemi pas diskutuar në procesin e Berlinit e që tash ia kanë vënë më emrin si mini-shengen”, tha Mustafa.

Mustafa thotë se marrëveshjen e nënshkruar në Uashington më 4 shtator mes Kosovës dhe Serbisë e ku si pikë ishte edhe mini-shengeni u pranua shkak i besimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Derisa ka folur për propozim aktakuzat ndaj të parit të vendit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, Mustafa thotë se kjo mund t’i sjellë para një situate të rëndë e ku thekson se nuk duhet të mendohet për interesa partiake por për ato të vendit.

“… unë nuk dëshiroj t’i komentoj ato sepse duhet të mbesin çështje të drejtësisë. E vetmja gjë që mund të them është se ne duhet të kemi besim në drejtësi dhe të apelojmë që institucionet e drejtësisë ta bëjnë në mënyrë profesionale, në mënyrë të pandikuar dhe që ta vënë drejtësinë në vend. Unë kam besim të madh në luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në asnjë rast nuk e shoh që gjykata mund ta njollosë përmes veprimeve të saj këtë luftë”, tha Mustafa.

Ani pse Vetëvendosje ka kërkuar mbështetjen e PDK-së për mocionin ndaj Qeverisë Hoti, Mustafa ka thënë nuk sheh ndonjë përkrahje ndaj nismës për rrëzimin e Qeverisë.

“Shtohet pyetja a ka nevojë të shkohet në zgjedhje dhe të humbet koncentrimi për luftimin e pandemisë dhe po ashtu të ndërpritet dialogu i cili ka filluar dhe i cili ka shanse që të përmbyllet dhe përfundimisht unë nuk shoh ndonjë përkrahje që tani për tani mund ta ketë mocioni i Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Mustafa.

Mustafa ka mohuar të ketë pasur luhatje të koalicionit LDK-AAK e Nisma Socialdemokrate.

Kohë më parë edhe publikisht kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se do të jetë kandidat për president kur do të vijë koha e zgjedhjes për këtë post.

Por, Mustafa ka thënë se nuk janë marrë vesh për poste dhe se për këtë mbetët të flitet më pas.

Mustafa gjatë intervistës ka folur edhe për qëndrimet e kryeparlamentares Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e fundit ishte kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së.

Mustafa derisa tha se e ardhmja e Osmanit në LDK varet nga ajo, theksoi se nuk e kishte pritur që ajo mos ta votojë Qeverinë Hoti.

Leave a Reply