“DokuFesti” me “Transmision” si sfidë e domosdoshmëri

0
77
Dokufest - Prizren

Edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “DokuFest”, është hapur të premten mbrëma me shfaqjen e filmave në platformën online. Si asnjëherë më parë në historinë e tij gati dydekadëshe, sivjet gjallëria e njohur nuk përshkoi rrugët e Prizrenit.

Pandemia e koronavirusit imponoi zhvendosjen nga kinematë fizike në hapësirën virtuale. Pa ceremoninë e hapjes, drejtuesit e këtij eventi kanë pohuar se ky vendim ka qenë i vështirë, por i domosdoshëm për shkak të situatës së tanishme, shkruan KOHA.

“Fatkeqësisht, sivjet nuk kemi hapje klasike qysh jemi mësuar, për shkak të situatës dhe jo për diçka tjetër. Për shkak të pamundësisë për t’i shfrytëzuar kinematë, ne kemi vendosur që i gjithë programi të jetë online”, ka thënë drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari.

Gjatë ditës, ekipi i festivalit ka bërë të fundit përgatitje që çdo gjë të ecën mbarë. Për disa javë rresht, lëvizjet në zyrat e “DokuFestit” kanë qenë të shumta: nga teknikët e deri te drejtuesit janë vendosur copëzat e fundit të mozaikut të edicionit të sivjetmë, që këtë vit shtjellon temën: “Transmisioni”.

Kjo fjalë, bashkë me nëntemat “Tranzicioni” dhe “Transformimi”, janë shfaqur në ekranin e kinemasë së hapur “Lumbardhi”, ku një orë para hapjes së festivalit janë takuar ekipi dhe bashkëpunëtorët e “DokuFestit”.

Aty ishin të pranishme edhe autoritetet qendrore dhe lokale të kulturës, respektivisht ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Prizren, Emilija Rexhepi. Ndërsa, në muret e Kalasë së Prizrenit, në orët e mbrëmjes, ka ndriçuar mbishkrimi “On Air”.

Por, pamja e qendrës së qytetit ka dalluar shumë në krahasim me vitet e shkuara, pasi që aty nuk ka pasur tollovi të vizitorëve, e as nuk janë parë vullnetarët tradicionalë të festivalit me triko të bardha. Ndërkohë, edhe në lokalet e gastronomisë ka mbretëruar qetësia e pazakonshme për këtë periudhë të vitit.

Nurkollari pranon se sivjet mungon atmosfera e viteve të shkuara, por në të njëjtën kohë bartjen në sferën digjitale e sheh si një mundësi të re.

“Kjo formë ishte njëra prej mundësive të vetme, por edhe mundësi interesante në fakt, edhe pse nuk është mundësia adekuate për me i zëvendësua kinematë dhe atmosferën që ndodh në kinema, sidomos atmosferën që ndodhte pas kinemasë, që e kaplonte Prizrenin gjatë të gjitha ditëve të festivalit. Por, në anën tjetër, kjo mundësi dhe kjo platformë do të na mundësojë një përhapje shumë më të madhe se viteve të tjera, sepse do të jemi prezentë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe një pjesë të Serbisë. Mendoj se numri i njerëzve potencialë ose i shikuesve të filmave të “DokuFestit” tash mund të numërohet me miliona”, ka deklaruar Nurkollari.

Ai ka shtuar se përvoja e muajve të shkuar ka ofruar mësime për të gjithë ekipin e festivalit.

Leave a Reply