Kuvendi i Kosovës ka thirrur vazhdimin e seancës konstituive për sot, në orën 11:00, ndërsa partitë opozitare kërkuan që seanca të mbahej mbrëmjen e së premtes, duke theksuar se në mesnatë përfundonte afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.
Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së u mblodhën të premten në Kuvend, në pritje të vazhdimit të seancës, por sipas tyre, dyert e sallës ishin të mbyllura dhe seanca nuk u mbajt.
Në rendin e ditës të seancës së thirrur për sot janë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kishin kërkuar që vazhdimi i seancës konstituive të mbahej të premten në orën 22:30, duke thënë se afati prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore përfundonte në mesnatë.
Deputetët e opozitës u mblodhën në Kuvend në pritje të vazhdimit të seancës, por thanë se nuk kanë mundur të hyjnë në sallë, pasi dyert kanë qenë të mbyllura.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se grupi parlamentar e kishte njoftuar me kohë kryesuesin e seancës konstituive, Avni Dehari, si dhe administratën e Kuvendit për kërkesën e tyre.
Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas mesnatës tha se deputetët kishin qenë në Kuvend për të treguar gatishmërinë për pjesëmarrje në seancën konstituive.
Hamza tha se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe se, sipas tij, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit paraqet shkelje të Kushtetutës.
Ndërkaq, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se kjo parti kishte kërkuar që seanca të mbahej deri në orën 00:00, me qëllim të respektimit të afateve kushtetuese.
“LDK ka pritur dhe ka kërkuar, ka ftuar që seanca të mbahet sonte deri në ora 00:00, në mënyrë që të ruhen afatet kushtetuese”, tha Haziri.
Përfaqësuesit e opozitës nuk kanë deklaruar nëse do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive.
Hamza tha se PDK-ja do ta trajtojë këtë çështje, ndërsa Haziri bëri të ditur se grupi parlamentar i LDK-së do të takohet para seancës.















































