Kryeministri Albin Kurti, ka reaguar pas verdiktit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte.
Përmes një reagimi publik, Kurti tha se Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale.
“Kjo është përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë dhe besim në të drejtën për ta kundërshtuar një aktgjykim që ende nuk është përfundimtar. Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë, dhe emri i tyre ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë ai.















































