Krasniqi: Qeveria Kurti po i penalizon qytetarët në baza partiake, ky diskriminim duhet të përfundojë

0
176

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për ndarjen e buxhetit në komunat e vendit, raporton Gazeta Sinjali.

Krasniqi ka thënë se Qeveria aktuale po i penalizon qytetarët në baza partiake dhe politike.

“Secili qytetar i Kosovës duhet ta dijë se Qeveria aktuale e kryeministrit Kurti po i penalizon qytetarët në baza partiake dhe politike. Është viti i katërt që Komuna e Kaçanikut nuk e merr asnjë cent nga Qeveria qendrore. Është një diskriminim i egër. Është një përjashtim i papranueshëm, sepse qytetarët anembanë Kosovës kanë votuar për parti të ndryshme, por Qeveria e ka për obligim që t’u shërbejë të gjithëve”, ka thënë Krasniqi gjatë vizitës në Kaçanik.

Më tej, ai ka shtuar se katër komuna nga tetë që udhëhiqen nga kryetarë të PDK-së, kryesisht nga rajoni i Ferizajt dhe Drenica, nuk e kanë marrë asnjë cent nga Qeveria për vitin e ardhshëm.

“Kjo është e papranueshme. Ky diskriminim duhet të përfundojë, sepse institucionet janë të të gjithë qytetarëve, dhe duhet t’u shërbejnë të gjithëve, pa dallim”, ka thënë më tutje kryetari i PDK-së.

Leave a Reply