Argjentina triumfon në finale ndaj Brazilit

0
315

Argjentina është kampionia e re e Copa Americas. Skuadra e udhëhequr nga kapiten Lionel Messi në fushë, ia doli të triumfojē me rezultatin minimal 1-0 ndaj Brazilit në finalen e luajtur në “Marakana” dhe të ngrejë për herë të 15 në histori trofeun e Copa Americas.

Edicioni i 47, që ishte edhe një nga më të kontestuarit, pasi shumë kërkuan anulimin e tij për shkak të koronavirusit, uli siparin në mitikun “Maracana”, që për sfidën finale hapi dyert për një numër minimal prej 5500 tifozësh.

Vëmendja maksimale ishte te Lionel Messi për argjentinasit dhe Neymar për brazilianët, pasi dy yjet e futbollit kanë fituar shumë në nivel klubesh, por ende asgjë në nivel përfaqësueseje dhe kjo e bënte edhe më interesante përballjen finale të Copa America-s.

Sfida nisi e qetë për të dy skuadrat, që kaluan disa momente studimi të njëra-tjetrës, teksa shkëndija e parë në portë, ishte edhe ajo që vendosi fatin e takimit, pasi Angel Di Maria mori një pasim perfekt nga ana e De Paul dhe veproi mirë, duke dërguar topin në rrjetën e portës së Ederson.

Pjesa e parë përfundoi pa asnjë rast tjetër shënimi, ndërsa 45-minutëshi i dytë u ngrit në nivelin e pritshmërive të një finaleje, ndërsa në minutat 53 dhe 54, Richarlisson flirtoi me golin e barazimit. Sulmuesi brazilian dërgoi topin në rrjetë herën e parë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje, ndërsa një minutë më vonë, pa që gjuajtja e tij të ndalej nga një pritje fantastike e Emiliano Martinez.

Në 10 minutat e fundit ishte ish sulmuesi i Interit, Gabigol, ai që provoi të shmangë disfatën e Brazilit, por në dy tentativa në harkun e dy minutave, nuk ia doli të dërgojë topin në rrjetë, ndërsa më pas ishte radha e Ederson të tregojë aftësitë e tij si portier në një tentativë të Messit dhe një tjetër të De Paul.

Vërshëllima finale e arbitrit uruguaian Ostojich la në fuqi fitoren me rezultatin minimal 1-0 të Argjentinës, që ngriti lart për herë të 15 Copa America-n dhe bashkë me Uruguain, u bë skuadra që e ka fituar më shumë këtë kompeticion.

Ky ishte një triumf mjaft i rëndësishëm edhe për Lionel Messin, pasi barra e të mos fituarit ende asnjë trofe me Argjentinën, i peshonte jo pak 6 herë fituesit të Topit të Artë, i cili tani sheh palmaresin e tij të titujve edhe më të plotësuar./SS

Leave a Reply