Simone Inzaghi drejt largimit nga Interi, Marotta studion dy alternativa “BIG”

0
132

Simone Inzaghi drejt largimit nga Interi. Mediat italiane raportojnë se drejtuesit zikaltër janë të pakënaqur me trajnerin dhe deri tani nuk kanë bërë ndërmend t’i ofrojnë zgjatjen e kontratës, që i skadon në verën e 2024-ës.

Për të shkuar edhe më tej, Marotta dhe Ausilio kanë nisur të planifikojnë të ardhmen pa Inzaghin, teksa kanë piketuar dy emra të mëdhenj për stolin zikaltër.

I pari është gjermani Thomas Tuchel, i papunë që prej vjeshtës së kaluar, kur u shkarkua nga Chelsea. Gjermani është ende në pritje të ofertave dhe një eksperiencë në Serinë A, do t’i interesonte, pasi bëri mirë në Gjermani, Francë e Angli.

Tuchel shihet me sy të mirë edhe për faktin që përdor skemën me tre në mbrojtje, e cila aplikohet te Interi prej 4 sezonesh, megjithatë problem mbeten pretendimet e tij ekonomike.

Interi nuk mund të shkojë përtej një page prej 6 milionë eurosh në sezon dhe vetëm nëse trajneri ul pretendimet, palët mund të çojnë negociatat përpara.

Një tjetër emër që ka dalë në skenë orët e fundit, është ai i Antonio Contes. Ky i fundit u ka thënë miqve të tij se dëshiron të rikthehet në Itali dhe duke parë problemet ekonomike të Juventusit, zikaltrit duken opsioni më i mirë për të.

Nuk mbeten jashtë vëmendjes as emra të rinj që po bëjnë shumë mirë këtë sezon në Serinë A, si Vincenzo Italiano i Fiorentinës dhe Thiago Motta i Bolognës, megjithatë të dy këto opsione nuk joshin shumë Marottën, që kërkon një emër me më shumë eksperiencë dhe autoritet./SS

Leave a Reply