Teksa miliona turistë përgatiten për pushimet verore, Mesdheu mbetet një nga destinacionet më të kërkuara në botë.
Me më shumë se 20 vende që lagen nga ujërat e tij, përfshirë Spanjën, Francën, Italinë dhe Greqinë, rajoni njihet për plazhet me diell, ujërat e kthjellëta dhe stilin e jetesës që ka frymëzuar edhe dietën mesdhetare.
Megjithatë, nën sipërfaqen e ujit fshihen disa krijesa dhe baktere që mund të paraqesin rrezik serioz për shëndetin dhe, në raste të rralla, edhe për jetën.
Rritja e temperaturave të detit gjatë viteve të fundit ka ndryshuar ekosistemin e disa zonave të Mesdheut, duke u mundësuar specieve që preferojnë ujërat më të ngrohta të përhapen në vende ku më parë shiheshin rrallë.
Ekspertët theksojnë se nuk ka arsye për të shmangur notin në Mesdhe, por njohja e rreziqeve dhe reagimi i duhur në rast incidenti mund të bëjnë një ndryshim të madh.

Iriqët e detit
Iriqët e detit janë shumë të zakonshëm në Mesdhe dhe shpesh gjenden në ujërat e cekëta, të ngjitur pas shkëmbinjve, në pellgje natyrore dhe pranë shkëmbinjve nënujorë.
Dy prej llojeve më të zakonshme janë iriqi i purpurt i detit dhe iriqi i zi.
Këto krijesa të vogla, të rrumbullakëta dhe të mbuluara me gjemba të mprehtë nuk janë agresive, por mund të shkaktojnë lëndime shumë të dhimbshme nëse shkelni mbi to ose përpiqeni t’i prekni.
Shpimi zakonisht shkakton dhimbje të menjëhershme dhe të fortë, të shoqëruar me skuqje, ënjtje dhe plagë të vogla.
Gjembat mund të thyhen dhe të mbeten nën lëkurë, duke e bërë heqjen e tyre të vështirë. Nëse nuk trajtohen, mund të shkaktojnë infeksion, inflamacion dhe në disa raste dëmtime të nervave, kyçeve ose kockave.
Në raste më serioze mund të shfaqen dobësi muskulore, paralizë, shok apo vështirësi në frymëmarrje, gjendje që kërkojnë ndihmë të menjëhershme mjekësore.
Këshillohet që gjembat të hiqen sa më shpejt dhe zona e prekur të mbahet në ujë të ngrohtë me sapun për të lehtësuar dhimbjen. Në rast simptomash të rënda duhet kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore.

Kandilat e detit
Mesdheu është shtëpia e dhjetëra llojeve të kandilave, por një nga më problematikët për pushuesit është kandili i njohur si “mauve stinger”, me emrin shkencor Pelagia noctiluca.
Me ngjyrat e tij rozë dhe të purpurta mund të duket i padëmshëm, por tentakulat e tij përmbajnë mijëra qeliza mikroskopike që lëshojnë helm në lëkurë.
Kontakti zakonisht shkakton djegie të menjëhershme, skuqje, ënjtje, kruarje, flluska dhe njolla të ngritura në lëkurë.
Shumica e njerëzve shërohen brenda disa ditësh, por dhimbja mund të vazhdojë për javë dhe pickimet më të rënda mund të lënë shenja.
Reaksionet serioze janë më të rralla, por mund të përfshijnë të përziera, të vjella, dhimbje koke, ngërçe muskulore dhe vështirësi në frymëmarrje.
Ekspertët bien dakord për një gjë: urinimi mbi plagë është mit dhe duhet shmangur.
Personi i prekur duhet të dalë menjëherë nga uji, ta shpëlajë zonën me ujë deti dhe jo me ujë të freskët, si dhe të largojë me kujdes tentakulat e dukshme pa fërkuar lëkurën.
Nëse simptomat janë të rënda ose nuk përmirësohen, duhet kërkuar ndihmë mjekësore.

Peshku-luan
Peshku-luan vjen fillimisht nga Deti i Kuq, por gjatë viteve të fundit është përhapur me shpejtësi edhe në Mesdhe.
Ai dallohet lehtësisht nga vijat e kuqe, kafe dhe të bardha, pendët në formë ventilatori dhe 13 gjembat helmues përgjatë shpinës.
Peshqit e rritur zakonisht arrijnë gjatësi nga 30 deri në 45 centimetra dhe gjenden pranë shkëmbinjve, livadheve detare dhe anijeve të fundosura.
Nuk janë agresivë ndaj njerëzve, por mund të mbrohen nëse shqetësohen ose shkelen pa dashje.
Gjembat e tyre mund të shkaktojnë një pickim jashtëzakonisht të dhimbshëm.
Viktimat zakonisht përjetojnë dhimbje pulsuese, skuqje, ënjtje, nxirje dhe mpirje rreth plagës. Mund të shfaqen edhe të përziera, të vjella, dhimbje koke ose marramendje.
Shumica e rasteve nuk janë kërcënuese për jetën, por komplikime të rënda si vështirësi në frymëmarrje, të fikët dhe probleme kardiovaskulare mund të ndodhin në raste të rralla.

Peshku weever
Pavarësisht madhësisë së vogël dhe pamjes së padëmshme, peshku weever shkakton disa nga pickimet më të dhimbshme në Mesdhe.
Ai zakonisht qëndron i fshehur nën rërë në ujëra të cekëta, duke lënë të dukshme vetëm sytë dhe gjembat helmues.
Për këtë arsye, notarët shpesh shkelin mbi të pa e vënë re.
Gjembat e tij mund të shkaktojnë dhimbje të menjëhershme dhe të fortë që përhapet përgjatë gjymtyrës së prekur.
Mund të shfaqen gjithashtu ënjtje, skuqje, mpirje, të përziera, marramendje, dhimbje koke ose temperaturë.
Dhimbja më e fortë zakonisht zbutet brenda disa orësh, por simptomat mund të zgjasin edhe disa ditë.
Komplikimet serioze janë të rralla, por mund të përfshijnë infeksion, dëmtim të indeve dhe vështirësi të mëdha në frymëmarrje.
Zona e prekur rekomandohet të mbahet në ujë të nxehtë, aq sa mund të tolerohet në mënyrë të sigurt, pasi nxehtësia mund të ndihmojë në neutralizimin e toksinës dhe uljen e dhimbjes.
Në rast përkeqësimi të simptomave duhet kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore.

Peshku-akrep
Peshku-akrep është vendas në Mesdhe dhe gjendet shpesh edhe në menutë e restoranteve.
Megjithatë, në natyrë është shumë i vështirë për t’u dalluar, pasi konsiderohet mjeshtër i kamuflimit.
Ngjyrat e kuqe dhe kafe e bëjnë pothuajse të padukshëm në shtratin shkëmbor të detit.
Edhe pse nuk është agresiv, në pendët e shpinës ka gjemba me helm që mund të shkaktojnë lëndime të rënda nëse shkelet ose preket.
Pickimi shkakton dhimbje të fortë dhe ënjtje, e cila mund të përhapet shpejt në të gjithë krahun ose këmbën.
Në raste më të rënda mund të shfaqen të përziera, të vjella, marramendje, temperaturë, dobësi muskulore, vështirësi në frymëmarrje, tension i ulët dhe çrregullime të ritmit të zemrës.
Personi i prekur duhet të dalë menjëherë nga uji dhe zona të mbahet në ujë të nxehtë për 30 deri në 90 minuta.
Më pas, plaga duhet të pastrohet mirë me sapun dhe ujë të pastër për të reduktuar rrezikun e infeksionit.
Pavarësisht gjembave helmues, peshku-akrep është i sigurt për konsum kur përgatitet dhe gatuhet siç duhet.

Bakteret Vibrio
Ndryshe nga peshqit dhe kandilat, bakteret Vibrio nuk mund të shihen me sy.
Këto baktere mund të shumohen në ujëra të ngrohta, të kripura ose të njelmëta, veçanërisht aty ku përzihen uji i ëmbël dhe ai i detit.
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat gjithnjë e më të larta të ujërave po krijojnë kushte më të favorshme për përhapjen e tyre në disa pjesë të Evropës.
Infeksioni mund të ndodhë kur bakteret hyjnë në trup përmes prerjeve, gërvishtjeve ose plagëve të hapura gjatë notit.
Edhe konsumimi i butakëve të papërpunuar ose të pagatuar mirë, veçanërisht gocave të detit, mund të shkaktojë sëmundje me simptoma si diarre dhe të vjella.
Infeksionet në plagë zakonisht shkaktojnë skuqje, ënjtje, dhimbje dhe nxehtësi në zonën e prekur.
Në raste të rënda, bakteret mund të përhapen shpejt në gjak dhe të shkaktojnë sepsë kërcënuese për jetën.
Ekspertët këshillojnë që personat me plagë të hapura të shmangin notin në det ose t’i mbulojnë ato me fasha rezistente ndaj ujit.
Ndihma urgjente mjekësore duhet kërkuar nëse skuqja, ënjtja ose dhimbja përkeqësohen, apo nëse shfaqen temperaturë, të dridhura ose rënie e tensionit.
Sipas ekspertëve, rreziku rritet gjatë valëve të të nxehtit dhe në zonat ku përzihen ujërat e ëmbla me ato të kripura.
Megjithatë, për shumicën e njerëzve të shëndetshëm rreziku për sëmundje serioze mbetet i ulët.
Më të kujdesshëm duhet të jenë personat me plagë të hapura, ulçera, tatuazhe të freskëta, plagë kirurgjikale, sëmundje të mëlçisë, diabet ose sistem imunitar të dobësuar.
Në shumicën e rasteve, infeksionet e lehta trajtohen me pushim dhe hidratim, ndërsa rastet më të rënda mund të kërkojnë antibiotikë.
Ekspertët theksojnë se pushimet në Mesdhe nuk duhet të shoqërohen me frikë, por me kujdes. Njohja e rreziqeve, shmangia e kontaktit me krijesat e panjohura dhe reagimi i shpejtë ndaj simptomave të pazakonta mund ta bëjnë diferencën mes një incidenti të vogël dhe një emergjence serioze. /GazetaExpress/















































