Prizren | Djali rrahu nënën, baba ia rrahu atij gruan – nga 30 ditë paraburgim të dyve

0
456

Gjyqtarja Shpresa Emra në Gjykatën Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë ditësh ndaj dy të pandehurve, babë e bir nga Prizreni, për shkak të veprave penale “dhunë në familje”.

Sipas Gjykatës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që djali Xh.N. (1) e ka rrahur nënën e tij, dhe me atë ardhur babai, i dyshuari tjetër Xh.N. (2), e ka sulmuar edhe atë, ndërsa ky i fundit më pas e ka rrahur nusen e djalit.

“I pandehuri Xh.N. (1), me datë 13 nëntor, në shtëpinë e përbashkët familjare, i pandehuri, brenda një marrëdhënie familjare, shkakton dhunë, keqtrajtim fizik dhe psikologjik ndaj të dëmtuarve, anëtarëve të familjes së tij, përkatësisht prindërve të tij nënës dhe babait – pandehurit Xh.N. (2), me të cilët jeton në të njëjtën shtëpi, ashtu që, ditën kritike për shkak të problemeve familjare, acarohet fillimisht me nënën e tij, dhe në atë moment e kap nënën e tij për fyti dhe e godet tri herë me shuplaka në fytyrë, të cilës i është nevojitur tretman mjekësor. Më pas pasi babi i tij vjen në shtëpi me veturë, dhe i pandehuri Xh.N. (1) fillon ta godasë veturën e babait me shqelma me ç’rast e thyen edhe dritaren e veturës. Me këto veprime anëtareve të familjes së tij iu shkakton frikë ankth dhe pasiguri për jetën e tyre”, thotë Gjykata.

Më pas, sipas Gjykatës, i pandehuri i dytë, babai Xh.N. (2), me të parë situatën, ka hyrë në shtëpi dhe e ka sulmuar fizikisht gruan e djalit të tij.

“I pandehuri Xh.N. (2)., me datë 13 nëntor, brenda një marrëdhënie familjare, shkakton dhunë, keqtrajtim fizik dhe psikologjik ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së djalit, me të cilën jetojnë në të njëjtën shtëpi, ashtu që, ditën kritike pasi i pandehuri Xh.N. (2), kthehet në shtëpi dhe e gjen situatën të tensionuar pas krijimit të rrethanave të cekura si më lart. Në ato momente e kap për flokë të dëmtuarën duke e hedhur në tokë, e cila më pas arrin të ik dhe njofton dhe kërkon ndihmën e policisë. Me këto veprime, të dëmtuarës i shkakton frikë ankth dhe pasiguri për jetën e saj”, ka njoftuar Gjykata, raporton Zeri.info.

Gjykata thotë se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje sapo kanë filluar, ndërsa në vazhdim do të merren në pyetje të pandehurit, dëshmitarët e rastit, kurse në rrjedhën e mëtejme të hetimeve do të mblidhen edhe prova të tjera për zbardhjen e kësaj çështje penale.

“Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm, duke marrë parasysh të kaluarën kriminale të të pandehurve, të njëjtit janë përsëritës të veprave penale të ndryshme, si dhe raportet e acaruara të të pandehurve të cilët janë babë e bir, dhe sjelljet agresive në vazhdimësi nga ana e tyre ndërmjet vete dhe në drejtim të të dëmtuarve pasi që të gjithë janë anëtarë të familjes dhe jetojnë së bashku, e arsyetojnë masën e paraburgimit pasi që ekziston rreziku se me bazën qëndrimin në liri, të pandehurit mund të përsërisin veprën penale të natyrës së njëjtë, apo të kryejnë ndonjë vepër tjetër penale të natyrës edhe më të rëndë”, ka theksuar Gjykata.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, ndërsa ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Leave a Reply