Përmbyllet projekti “Mësimdhënia mbështetëse përmes punës vullnetare për fëmijët me aftësi të kufizuar”

0
923

Me datën 30 Shtator 2022, në hapësirat e Hotel Centrum, në Prizren është mbajtur eventi  që shënojë përmbylljen me sukses të projektit: Mësimdhënia mbështetëse përmes punës vullnetare për fëmijët me aftësi të kufizuar, i financuar nga Bashkimi Europian dhe bashkë-financim nga Suedia dhe është përkrahur përmes Qendrës së Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë që zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM).  Në këtë event u paraqitën rezultatet e arritura gjatë zbatimit gjashtë mujor të projektit në Komunën e Prizrenit.Qëllimi i përgjithshëm i projektit ka qenë gjithëpërfshirja në arsimin fillor përmes mësimdhënies mbështetëse për nxënësit me aftësi të kufizuar, të cilët startojnë për herë të parë shkollimin fillor. Ky qëllim është arritur përmes bashkëpunimit me Organizatën “HandiKos”- Prizren, Drejtorinë Komunale të Arsimit-Prizren, shkollave fillore të Komunës së Prizrenit, ku nxënësit përfitues nga ky projekt vijojnë mësimin dhe mësuesve mbështetës vullnetarë; duke u bazuar dhe punuar në planprogramet mësimore.

Rezultatet e projektit:

Mësimdhënia mbështetëse:

Mësimdhënia mbështetëse për nxënësit me aftësi të kufizuar në këtë projekt, është ofruar nëpërmjet seancave mësimore mbështetëse nga mësimdhënësit mbështetës vullnetarë, të trajnuar dhe certifikuar në këtë fushë. Këto seanca janë mbajtur në hapësirat shkollore, kryesisht ndaras nga mësimi i rregullt, i cili është bazuar në planprogramet e mësimit të rregullt për klasën e parë, por edhe sipas kërkesës së  vet nxënësit. Një seancë mësimore ka zgjatur një orë e gjysmë deri në dy orë. E gjithë mbështetja mësimore u është ofruar nxënësve përfitues në bashkëpunim të vazhdueshëm me prindërit, mësimdhënësit, psikologët dhe në raste ku shkolla ka pasur edhe asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuar, në mënyrë që të arrihen sa më lehtë objektivat e parapara në planprogramet e tyre mësimore.

Trajnimi:

Dhjetë pjesëmarrës për rolin e mësimdhënësit mbështetës vullnetar janë trajnuar në temat: “Aftësia e kufizuar, qasja pedagogjike ndaj nxënësve me aftësi të kufizuar dhe Plani individual i arsimit”, dhe janë certifikuar nga ekspertët e fushës përkatëse në bashkëpunim me Ojq-në “Handikos” – Prizren. Më pas janë përzgjedhur pesë nga mësimdhënësit mbështetës vullnetarë dhe pesë nxënës me aftësi të kufizuar. Përfituesit nxënës janë përzgjedhur në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit, të Komunës së Prizrenit.

Seancat mësimore mbështetëse:

Janë mbajtur 240-të seanca mësimore mbështetëse për pesë nxënës me aftësi të kufizar, ku pas përfundimit të këtij shërbimi, nxënësit kanë  arritur objektivat e parapara në planprogramet e tyre mësimore. Më tej bashkëpunimi i vazhdueshëm me prindërit e tyre, psikologët e shkollës, mësimdhënësit përkatës të nxënësve përfitues ka ndikuar në arritjen e rezultatetve pozitive të mësimdhënies mbështetëse.

Shkollat fillore përfituese:

Përfituese të këtij projekti ishin katër shkollat fillore të Komunës së Prizrenit, si: SHFMU “Abdyl Frashëri”, SHFMU “Emin Duraku”, SHFMU “Lekë Dukagjini” dhe SHFMU “Haziz Tola”. Ky projekt për shkollat e lartpërmendura qe një ndihmesë shumë e madhe në mësimin mbështetës, jo vetëm për shkollën dhe mësimdhënësit, por edhe  për prindërit e nxënësve përfitues, meqë shpenzimet e mbuluara nga projekti qenë një lehtësim edhe në aspektin financiar. Nxënësit, me pak mund dhe brenda një kohë të shkurtër, kanë arritur t’i përmbushin  objektivat e parapara në planprogramet  mësimore, e gjitha kjo fal punës vullnetare të mësimdhënësve mbështetës.

Takimet koordinuese mes akterëve të ndryshëm:

Janë mbajtur shtatë takime koordinuese. Në këto takime janë diskutuar çështje të ndryshme të ecurisë së projektit, sfidave dhe aspekteve tjera lidhur me infrastrukturën e përshtatshme për një qasje sa më gjithpërfshirëse nëpër shkolla për nxënësit përfitues. Përfitues të drejtpërdrejtë kanë qenë mësimdhënësit mbështetës vullnetarë, mësimdhënësit dhe prindërit e nxënësve. Ndërsa përfitues përfundimtarë janë nxënësit me aftësi të kufizuar.

Përmbledhje e projektit:

Nxënësit përfitues me aftësi të kufizuar janë kyçur në arsimin fillor me mundësi dhe kushte të barabarta me të tjerët, për arsye se atyre i është përshtatur infrastruktura në kuptimin mjedisor po edhe përmbajtësor të procesit mësimor. Në katër shkollat fillore të Prizrenit, për pesë nxënës përfitues janë krijuar tashmë kushte të barabarta me bashkëmoshatarët. Fal mësimdhënies mbështetëse të ofruar në baza vullnetare, nxënësit përfitues të këtij shërbimi kanë arritur objektivat e parapara në planprogramet e tyre mësimore. Mësimdhënësit mbështetës vullnetarë gjatë ofrimit të seancave mësimore mbështetëse gjithashtu kanë promovuar vullnetarizmin si vlerë të shoqërisë në ambientet e ndryshme shkollore. Poashtu është ngriturvetëdijësimi i akterëve të lartcekur për rolin e domosdoshëm  dhe të pazëvendësueshëm të mësimdhënësit mbështetës nëpër shkollat fillore, në mënyrë që të arrihet në të ardhmen, një qasje sa më gjithëpërfshirëse në arsim.

Bartëse e projektit:

Gentione Gigollaj Shalaj

Prizren, 2022

Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian dhe bashkë-financim nga Suedia dhe përkrahet përmes Qendrës së Burimeve për Shoqëri Civile në Kosovë, që zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe Community Building Mitrovica (CBM). Përmbajta e tij është përgjegjësi e vetme e bartëses së projektit: Gentione Gigollaj Shalaj dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e BE-së, Suedisë, KCSF-së e CBM-it.

Leave a Reply