Pse iku arsimtari Agim?

0
109

Kur e ndërroi vendin e punës dhe kaloi tek një shkollë tjetërmërzia ime u ngjesh aqsa më ishte zbehur fare kurajaqë t’i hapkapakët e librit të lëndës së tij. Më ishte tronditur thellësisht edhe vullneti për të shkuar në shkollë. Pothuaj përditë gjuha shfaqte atë që preokuponte mendjen e një kalamani: pse iku arsimtari Agim? Madje pa u përshëndetur.

Një mëngjes fundjave, teksa flija më gjatë se ditëve të shkollës, më zgjuan herët nga gjumi. Nisa të ankohem që s’po më linin tëpushoja as kur isha i lirë. E kemi një mysafir që dëshiron të takohet enkas me ty, më thanë. As insistimi im prej fëmije nuk ua nxori dot fjalët nga goja. Befasia nuk duhej prishur. U vesha me shpejtësi dhe zbrita nxitimthi në ballkonin e katit të poshtëm. Në çastin kur e kam parë mysafirin special, u pata shtangur;ai pinte çaj bashkë me gjyshin tim. Kush tjetër pos arsimtarit Agim?! Nuk kishte mundur të duronte pa më takuar. Mbaj mend se me gjithë fuqinëu pata hedhur në krahët e tij. Kishim tejkaluar raportin mësimdhënës-nxënës që rëndom ishte zyrtar. Atij burri që në klasë na fliste me vrull për figurat kombëtare, duke më shtrënguar fort,lotët i shkonin rrëke. Të përlotur ishin bërë edhe sytë e gjyshit. Unë si fëmijëveçse isha mbytur në ngashërim. Më kujtohet t’i kem thënë se isha përmalluar shumë për të. Ai i përsëriti ato që unë i thashë. Ma dha fjalën se do të kthehej në shkollën tonësërish. Nuk vonoi shumë dhe ashtu ndodhi.

Për katër vjet me radhë arsimtari i ka dhënë hov pasionit tim për historinë; më veçonte në lexime shtesë, më bënte kontrollor detyrash shtëpie për klasën tonë, më sugjeronte që ta studioja historinë…E për studime nuk i jam bindur. Mbase ka qenë gjëja e vetme që nuk e kam realizuar nga këshillat e tij. Sidoqoftë, historinë nuk e kam zgjedhur për profesion, por e kam kultivuar si pasion. Kam pasur fatin që edhe në gjimnaz ta kem një mësues historie tjetër të mirë. Sigurisht edhe ky ka qenë një tundim.

Ndonjëherënjeriu mund të mallkojë teknologjinë e avancuar. Ashtu siç bëra unë sot. Informacionet në kohë reale dinë të bëhen të neveritshme, veçmas kur sjellin diçka të trishtueshme.As imagjinata ime më e bujshme nuk do të dëftente rastin që sytë e mi do të lexonin njoftimin në internet se viktima e radhës nga virusi COVID-19, një person me inicialet A.H,mund të ishte vetë ai…

Ai të cilin e kisha takuar vitin e kaluar, ia kisha dhuruar një libër timin dhe e kisha pyetur nëse i kishte ngelur hatri se nuk kam studiuar në Fakultetin e Historisë… Ai që më ishte përgjigjur se besonte në punën time pavarësisht përzgjedhjes,se ishte krenar që më kishte dhënë mësim dhe se herë pas here po përmendte emrin tim te filloristët e rinj si një nxënës që e kishte dashur shumë… Unë isha skuqur nga kjo qëpo më zinin veshët plot pesëmbëdhjetë vite pas ndarjes nga bankat e shkollës fillore. Për të unëdo të mbetesha i njëjti; nxënësi i tij. Dhe ai, mësuesi im.

Sot, kur mendjen s’e kam të një kalamani dhe i kuptoj ndarjet, bile edhe të tillat pa kthim, nuk mund të mos e bluaj në kokë prapë pyetjen që më preokuponte si fillorist: pse iku arsimtari Agim? Madje pa u përshëndetur.

Ndoshta tani mund ta di përgjigjen, por s’e gjejdot forcën t’ia them vetes.

Agimi -sikurse emri i tij – do të ndritë në kujtesën time përgjithnjë paçka sot na e ngrysi qiellin.

Shkruan: Ditar KABASHI

Leave a Reply