Populli tha fjalën e vet

0
408

Përveç se 14 Shkurti ishte dita e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Kosovës, kjo ishte edhe dita e Shën Valentinit apo dita e të dashuruarve, por mbi të gjitha u tregua se kjo ishte dita e dashurisë që qytetarët shprehën për shtetin e Kosovës, që përmes votës u përcaktuan për ndryshime rrënjësore dhe një qeverisje tjetër.

Me këtë rast duhet uruar dhe falemnderuar qytetarët e Kosovës që treguan një maturi dhe kulturë politike për mbarëvajtjen e proçesit zgjedhor, i cili pothuajse kaloi pa inicidente. Me këto zgjedhje, edhe pse në një situatë të tendosur, Kosova tregoi standarde të larta zgjedhore që do t’ia kishte lakmi edhe Rajoni.

Shpallja e rezultateve të para preliminare nga KQZ-ja, shkqaktoi një tërmet të fuqishëm në skenën politike, me ç’rast dëme pësuan të gjitha partitë e në veçanti LDK-ja, e cila krahasuar me zgjedhjet e fundit u përgjysmua, kurse fitues doli LVV-ja me Listën Guxo.

Kontribut të madh për një rezultat të tillë dhanë tri palë zgjedhjet e fundit, të cilat demaskuan partitë që duke bërë koalicione të pista për interesat e bandave të tyre politike, nuk e lanë të vije në pushtet partinë fituese të këtyre zgjedhjeve, siç ishte LVV-ja, nga frika se do t’ia nxjirrte të palarat në shesh.

Veprimi që e deklanshoi këtë pakënaqësi të akumuluar, ishte rrëzimi i Qeverisë Kurti në mesin e pandemisë, me pretekste të rreme dhe spekulative të inskenuara dhe orkestruara nga binomi Thaqi – Mustafa, duke manipuluar votën për interesa dhe qëllime antikombëtare. Kjo pakënaqësi u shtua edhe me përjashtimin e Vjosa Osmanit nga LDK-ja, e organizuar personalisht nga Isa Mustafa dhe i përkrahur nga klika dhe servilët e tij. Zonja Osmani u përjashtua vetëm e vetëm se ajo i ngeli besnike parimeve dhe premtimeve ndaj elektoratit duke lidhur besën se do t’i përmbushë premtimet, kurse Isa Mustafa duke manipuluar me votat bëri koalicion me PAN-nin, që ishte në kundërshtim me kërkesat e elektoratit.

Prandaj largimi i Zonjës Osmani u tregua fatale për LDK-ën, sepse elektorati pamëshirshëm goditi LDK-ën duka ia përgjysmuar votat, duke e turpruar dhe poshtruar me rezultatin. Pasi LDK-ja në krye me Isa Mustafën pësoi një debakël të vërtetë, ai paralajmëroi dorëheqje nga posti i kryetarit.

Mendoj se organet e LDK-ës nuk do të duhej t’ia pranonin dorëheqjen e Isa Mustafës, por duhet thjeshtë t’a përjashtojnë nga LDK-ja, sepse ai që nga ardhja në krye të LDK-ës e uzurpoi dhe keqpërdori partinë. Isa Mustafa në skenën politike është mbajtur përmes intrigave, mashtrimeve, tradhëtisë dhe manipulimit të votave, për përfitime personale dhe të « shtabit politik » të tij. Ai vazhdimisht votat e LDK-ës i ka vënë në dispozicion të Hashim Thaqit, sepse ato i ka konsideruar si pronë të tij duke përdhosur vullnetin e elektoratit. Isa Mustafa me veprimet e gabuara, jo vetëm se dobësoi LDK-ën, por e falimentoi ate.

Një pjesë të mirë të fajit kanë edhe disa servila, kuazi intelektual, pa parime, por edhe Kryesia që nuk ka reaguar me kohë në parandalimin e prapaskenave dhe keqpërdorimeve patalogjike të tij. Të vetmin guxim e pati Zonja Osmani me disa bashkpartiak, të cilët nuk u pajtuan me manipulimet e tij, dhe si rrjedhojë ata u përjashtuan. Sikur të kishin reaguar edhe të tjerët që rrejshëm thirren në Rugovizëm, LDK-ja nuk do të vinte në këtë derexhe.

Vlenë të theksojmë se Isa Mustafa asnjëherë nuk ka patur raporte të mira me Ibrahim Rugovën, madje ai me Bujar Bukoshin e kanë bojkotuar punën e Dr. Rugovës duke ia ndalur pagesat e udhëtimeve, telefonit, hoteleve, pikërisht në kohën kur ai udhëtonte nëpër botë për senzibilizimin e çështjes së Kosovës.

Tani, merreni me mend, një person që falimentoi partinë që dikur ishte më e madhja, a thua çka do të kishte ndodhur me shtetin e Kosovës sikur ai do të zgjidhej president i Kosovës, për çka gjithnjë ka pretenduar.
Nëse e analizojmë periudhën që nga ardhja e Isa Mustafës si Kryetar i LDK-ës më 2010 e gjer më sot, do të vërejmë se pothuajse bashkëpunimi mes Isa Mustafës dhe Hashim Thaqit ka qenë shumë i ngushtë, dhe ky bashkëpuinim gjithnjë ka qenë në kundërshtim me votat e elektoratit të LDK-ës, kjo n’a len të kuptojmë se ndoshta Thaqi-PDK-ja e ka sjellë në krye të LDK-ës Isa Mustafën për t’a shkatërruar LDK-ës ?!
Mendoj se elektorati, në pamundësi që të ndikojë kundër veprimeve të Isa Mustafës dhe servilëve të tij, padrejtësisht dënoi komplet LDK-ën, që ishte e vetmja mënyrë për t’a reformuar LDK-ën nga e keqja dhe tradhëtia.

Por çdo e keqe sjell një të mirë, sepse LDK-ja tani ka kohë, sigurisht gjatë dy mandateve të qëndrojë në opozitë, të reformohet dhe të rehabimitohet duke sjellur në skenën politike një gjeneratë të re të pakorruptuar.
Në këto zgjedhje, në veçanti duhet t’a theksojmë rolin e Mërgatës, e cila edhe përkundër të gjitha obstrukcioneve që iu bënë nga disa institucione, ajo si çdo herë ishte në krye të detyrës, në kushte shumë të vështira, me ftoftin dhe borën që kishte kapluar Europën, ata vendosën të vijnë në vendlindje me aeroplanë, autobusë dhe me vetura, madje duke lënë edhe punën, vetëm e vetëm të votojnë. Kështu Mërgata ia dhënë një leksion qytetarëve të Kosovës se si duhet dashur dhe mbrojtur shtetin nga kastat dhe nëntoka politike.

Humbësit kanë emër: nepotizëm, korrupcion dhe krim i organizuar të profilit të lartë.
Pas çertifikimit të rezultateve definitive nga KQZ-ja, LVV-ja dhe Lista Guxo, duhet t’i përvishen punës dhe të fillojnë reformat duke i mbajtur premtimet, sepse votimi dhe fitorja plebishqitare nuk është privilegj por përgjegjësi.

Shkruan: Skender MUSLIU

Leave a Reply