“O ju ‘të vjetër’, shtetin e morën në dorë këta ‘të rinjtë’, sepse nuk deshën t’jua lënë juve nëpër këmbë, e as nën këmbë”

0
395

Ah këta të rinjtë!

Këta ‘të vjetrit’ po thonë “e morën shtetin në dorë këta të rinjtë”, e unë po çuditem, se jam më i ri se të tre (Albini, Glauku e Vjosa) e s’e konsideroj më veten të ri. Thonë se janë të rinj, demek pa përvojë në politikë. Harrojnë që Presidentja ka nja dymbëdhjetë vjet karrierë politike, Kryekuvendari nja 16 vjet aktivitet politik, ndërsa Kryeministri qe 24 vjet u prin qytetarëve për ndryshime politike.

Pra, s’janë të rinj e të papërvojë. I njohin institucionet nga brenda e nga jashtë, nga zyra e nga rruga. Ata janë në moshën më të mirë për përgjegjësitë e mëdha që sapo i kanë marrë.

Këta ‘older-than-me’ janë brezi im. Prej tyre priten punë më shumë se llafe. Nuk duhet të presim prej tyre që ta sjellin parajsën në tokë, por që ta konkretizojnë një vizion real: ta bëjnë Kosovën vend normal.

Natyrisht, për ta kthyer shtetin mbarë, nuk mjafton vetëm puna e politikanëve (sado punëtorë e qëllimmirë të jenë), por duhet edhe angazhimi i përgjithshëm qytetarë. Për ta racionalizuar dhe humanizuar pushtetin, që deri tash veç racional e human s’ka qenë, intelektualët nuk duhet as të heshtin, as të shiten.

Pra, unë ‘plaku’ po ju them juve ‘të vjetërve’ që mos t’i identifikojmë e ofendojmë këta ‘të rinjtë’ me ‘komunizëm’, por t’i mbledhim forcat të gjithë për ‘ko-imunizëm’, që, sipas filozofit Sloterdijk, është një mobilizim me vetëdije të re për ta tejkaluar krizën e për t’u zhvilluar. Vetëm me vetëdije ko-imuniste mund të krijojmë imunitet ndaj sëmundjeve politike e pandemike.

Pastaj, o ju ‘të vjetër’, mos e harroni një gjë: shtetin e morën në dorë këta ‘të rinjtë’, sepse nuk deshën t’jua lënë juve nëpër këmbë, e as nën këmbë.

Kështu që, e gëzofshin e na gëzofshin! 

Shkruan: Ag APOLLONI

Leave a Reply