Nuk është koha për beteja politike, por ta mposhtim koronavirusin të gjithë së bashku

0
700

Është e rëndë vetëm të mendohet, por siç duket do të jemi të detyruar ta përjetojmë edhe njëherë karantinën.

Nuk jemi në pozicionet që ta kritikojmë dikë, por të bëhemi të gjithë bashkë dhe gabimet që kanë mundur të ndodhin javë më parë, ato të mos ndodhin më. Për të mirën tonë.

Koronavirusi nuk njeh pozitë, parti, deputet, kuvendar, medie, biznese e qytetarë. Prandaj, është koha që të bëhemi të gjithë bashkë, pa asnjë dallim dhe paragjykim, që t’i kundërvihemi këtij virusi për ta mposhtur.

Nuk jemi në luksin për t’i bërë dikujt konkurencë, as t’i vendosim pengesa vetëm pse është në pozitë apo opozitë, apo vetëm pse mendojnë ndryshe nga ne. Për ‘luftëra’ e ‘beteja’ të tilla shpresojmë se do ta kemi përsëri rastin që ta tregojmë secili veten, forcën, diturinë, aftësinë e modelin.

Si asnjëherë më parë, është tashmë e domosdoshme që të bëhemi të gjithë bashkë, t’i tejkalojmë ndasitë dhe konkurencën, sepse të gjithë padallim jemi përballë një rreziku, një kanosje që nuk e dijmë se nga cili prej nesh vjen apo u shkon të tjerëve.
Potencialin tuaj tregojeni pikërisht për ta mposhtur këtë virus, duke e ndihmuar njëri tjetrin.

Institucionet pandërprerë kanë bërë thirrje për kujdes, madje kanë vendosur edhe masa, e të cilat mjaftueshëm nuk janë respektuar nga të gjithë ne. Duhet ta pranojmë, secili nga ne i kemi injoruar ngapak, i kemi shkelur ngapak, jemi treguar trima e trimëresha. Por siç duket kemi treguar vetëm dobësitë tona.

Kjo thirrje nuk është për të ngjallur frikë te asnjëri prej jush, por është një thirrje e sinqertë që të bëhemi bashkë i madh e i vogël, që të mos krijojmë panik, por të tregojmë sa më shumë kujdes.

Sa më shumë që do ta injorojmë këtë virus, dhe sa më shumë do të tregohemi kokëfortë ndaj secilës masë të vendosur për të mirën tonë, ne veç do të ja zgjasim jetën virusit famëkeq.

Të gjithë e dijmë sa kanë pësuar bizneset, sa njerëz e familje janë vendosur në vështirësi financiare, sa shumë jeta jonë ka ndryshuar, andaj të bëhemi bashkë që ta fitojmë këtë betejë.

Vetëm për të mirën tonë, timen, tënden, tuajën dhe të gjithëve…

Shkruan: Luan SALLAUKA

Leave a Reply