Një muaj përballje me Virusin vrastar, COVID-19!

0
563

E tëra filloj nga neglizhenca ime, duke menduar se vetëm me disa medikamente e me qëndrim në shtëpi, do e mundi këtë armik që po vret në çdo cep të botës.

Shumë herë kam dëgjuar të thonë se; „Shtëpia nuk bëhet spital“, dhe këtë e vërtetova. Pasi më paloi për tokë duke më sulmuar gjithçka, veçanërisht rrugët respiratore, e kur mbeta gati fare pa frymëmarrje dhe kur të gjitha vlerat trupore ishin të çrregullta, imunitet zero, dhe trup të ç’ekuilibruar, atëherë me urgjencë u dërgova në rapartin infektiv në QKUK, duke kaluar kështu plot 24 ditë me oksigjeno terapi gjatë gjithë kohës.
Të dashur miq,
Arsyeja pse po ndaj me ju këtë eksperiencë është, sepse dua shkurt e shqip të ju them se: VIRUSI VRET. Vret aq shpejtë sa nuk mund ta paramendoni. Gjatë qëndrimit në shtrat më shumë se tri javë, duke dëgjuar vetëm zhurmën e instrumenteve për matjen e pulsit dhe saturimit, si për çudi, më kujtoheshin fjalët e Steve Jobs që shkruan në letrën e tij të fundit; “Derisa në errësirë, shoh dritat jeshile që vijnë nga pajisjet dhe dëgjoj zërat e aparaturave, mund ta ndjej frymën e zotit të vdekjes që po afrohet“.

Në krejt këtë fatkeqësi, një ditë në dhomën time erdhi edhe një djalë trupgjatë prej sportisti të vërtetë vetëm 28 vjeçar, i cili ishte në një gjendje poashtu të njejtë sikur unë.
U bëmë miq të përhershëm me Trimin, me „shokun tim të luftës“, kështu ia lash emrin unë, e të cilit atij dhe familjes së tij, ia uroj më të mirat gjatë gjithë jetës.
Edhe diçka. Të gjithë ju që keni, ose keni patur perceptim negativ për institucionet tona shëndetësore, duke menduar se po shkove në spital, do vdesësh nga moskujdesi dhe nga padituria e mjekëve, e keni shumë gabim. Pa llogaritur rrezikun e të gjithë personelit mjeksor, që në çdo minutë janë të rrezikuar nga infektimi i mundshëm, megjithatë me plot zemër duhet ti quajmë „Heronjë të gjallë të ditëve të sotme“. Madje, pat motra të atilla, që kur vinin gjatë shërbimit në dhomë edhe këndonin, si: motra Zade, Minirja, Albertina, Jehona, Afërdita, e të më falin të tjerat që nuk po ua kujtoj emrat, por, ajo që padyshim më shpëtoi nga më e keqja, duke u gëzuar më shumë se unë për shërimin tim, ishte doktoreshë Ajete Aliu Bejta, e cila do mbetet përherë në memorien time.
Për fund.
Gjatë kurorëzimit martesor në një rast thuhet: „Do të të dua në të mirë e në të keq, edhe kur je sëmurë edhe kur je shëndoshë…“ fati im i jetës gruaja, nuk mu nda për asnjë sekondë,, duke qenë pranë meje, pa bërë gjumë në sy me javë të tëra, deri kur u gëzuam bashkë në ditën kur dolëm. Pa ndihmën dhe vullnetin e Zotit, atij falë i qofshim, e pastaj pa ndihmën e balldëskes time Ganes që e kam moter, e cila u kujdes që nga dita e parë e deri në fund, pa ndihmën e motrës time, Sales, që kurrë nuk mungoi ndihma e saj, dhe të gjithë familjarët e mi, të cilët u kujdesën më t‘gjitha t‘mirat për mua, shërimi im do ishte sigurisht shumë më i vështirë.

Krejt krejt në fund, qëllimi i këtij shkrimi ndoshta edhe të gjatë është se, dua që të më besoni e që mos ta injoroni këtë virus dhe sapo të keni simptomat e para, me vrap ikni drejt e në institucionet shëndetësore më të afërta që i keni. Aty, as nuk ju mbysin, as nuk ju vendosin çipa siç thuhet nga injorantët. Mos pritni që të diagnostifikoheni me Pneumoni Masive sikurse unë, ngase është tepër vonë, e aq më shumë, rrezik për jetë.
Ps. Me vullnetin e Zotit, atij i qofshim falë, e kalova edhe këtë betejë, por dua të them që as „Hasmin mos e pafsha të infektuar me këtë Virus“.

Shkruan: Afrim BEKTESHI

Leave a Reply