Fryma e Zotit Krijues u lëshue mbi këtë vend dhe na iluminoi me shpresë e besim – Zgjedhjen e Vjosës Presidente!

0
342

Mund të ketë qenë  rastësi (e rasti, thonë është mbret i botës), apo ndoshta e qëllimtë, kjo pak ka rëndësi, por zgjedhja e Zonjës Osmani në postin e presidentes së Kosovës në natën e Pashkës (kur bota e krishterë beson se Jezusi u ringjall) krijoi një ndjesi sublime se në Kosovë atë natë të shenjtë Zoti ndihmoi që fati i këtij vendi të marrë kahje të mbarë.

U rikthyen shpresat dhe entuziazmi dhe njerëzit me sy të gozhduem për ekrane televizorësh nisën të marrin frymë më lirshëm.

U duk sikur më në fund do të çlirohemi edhe nga fytyrat  e analistëve mercenarë, të cilët nga studiot televizive, si nga qendra laboratorike orveliane, synonin shpëlarjen e trunit tonë, e  ndërsa ne, në mënyrë gati mazohiste çdo natë merrnim mbidoza të kontaminuara pështjellimesh, në vend të analizave të thelluara, me të cilat dikur nisëm të mësohemi dhe për më keq krijuam edhe varshmëri…

Por u duk se edhe kësaj po i vinte fundi.

Në 4 vitet në vijim duket se do të kemi rastin që në shtetin tonë të shijojmë pak normalitet, si standard elementar i një ekzistence të dinjitetshme njerëzore, edhepse në kujtesën tone vështirë të mbajmë mend ndonjë periudhë normaliteti.

Tash Kosova ka tre liderët e rinjë në të cilët beson fuqishëm. Presidentja Vjosa Osmani, (fjalëve të së cilës iu besuan sepse ato vinin nga mendja dhe zemra)  kryeministrin Albin Kurti, si lider tashmë i pakontestueshëm i ndryshimeve dhe lideri i ri i opozitës Lumir Abdixhiku, (i cili për një kohë shumë të shkurtër arriti ta nxjerrë nga agonia partinë themeltare të Pavarësisë së Kosovës),  janë figurat në të cilat shqiptarët e sotëm besojnë se mund ta nxjerrin Kosovën nga agonia ku na sharruan politikanet e pandërgjegjshëm.

Pritshmëritë tona në këtë plan janë modeste dhe si të tilla, të arritshme. Duam një jetë normale  në një shtet normal… Trinomi i liderëve Vjosa, Albini, Lumiri me të cilët ndodhi edhe ndryshmi  i perceptimit negativ për politikanët si kastë grabitçarësh që në politikë hyjnë për përmbushjen e agjendave të tyre profitere. U krijua një frymë besimi se këta, secili në mënyrën e tyre do të  plotësojë dhe korrigjojë njëri-tjetrin. Por,  ndryshimi i perceptimit për politikanët ndodhi edhe pas faktorizimit të grave në politikë.

Krijimi i modelit të Vjosës, e cila edhe për shumë kohë do të perceptohet si modele suksesi, do të gjenerojë një gjeneratë të fuqishme të politikaneve gra, të cilat në një të ardhme jo të largët, do të përbejnë shumicën në instancat vendimmarrëse të Kosovës.

Trinomi Kurti, Vjosa e Lumiri, pas të cilëve do të rreshtohen tash e tutje shumica e shqiptarëve që duan të merren me politikë, do të sjellin rirreshtime të mëdha në skenën politike të Kosovës. Ata do të mund të jenë të suksesshëm edhe shkaku i pritshmërive shqiptare, të cilat këtë herë janë më modeste. Askush nuk pret merkullina prej tyne, por të gjithë presim lëvizje të shpejta drejt një normaliteti, i cili Kosovën do ta bënte shtet normal, pa turbulenca të shpeshta politike dhe pa fytyra të përnatshme të politikanëve narcisoid, të cilët na e kontaminuan jetën edhe nga ekranet televizive. Kemi nevojë shumë që të pushojmë nga fytyrat e tyre dhe të dekontaminojmë mendjet nga shplamjet orveliane të trurit, që na i banë çdo natë nga  studiot televizive analistët e tyre mercenar. Do të pushojmë një kohë besoj edhe nga politikanët, të cilët thonë se na e sollën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ata mirë është që për këtë t’i bindin historianët që të shkruajnë libra për të bëmat e tyre historike e neve të na lejojnë të jetojmë një kohë pa ta.

Churchilli ka fitue edhe në Luftën e Dytë Botërore, e ka përmbysur Hitlerin, por pas luftës i ka humbë zgjedhjet. Helmut Koli, edhepse gjatë mandatin të tij i ka bashku dy Gjermanitë, është dënue për përfitim të paligjshëm fondesh, jo për vete por për partinë e tij dhe ka përfunduar i dënuar …  Asnjëherë s’ju ka shku ndërmend t’ua kërkojnë popujve të tyre t’i trajtojnë si heronj. Këtë punë ia kanë lanë historisë.

E shqiptarët e lodhur nga politikanët arrogantë e kleptoman më në fund filluan të shohin alternativa politike te gratë.

Në psikogjenin shqiptar duket sikur u ringjall kulti i gruas dhe nanës, me besimin se një grua kurrë s’mund të bëjë veprime aq të damshme për familjene shtetin sa mund ta bëjë këtë një burrë…  Dhe ishin vajzat, gratë dhe nanat tona ato që e ndryshuan imazhin e Kosovës nëpërmes sportit, artit e kulturës dhe së fundi edhe politikës. Tash e tutje gjithnjë e më shumë do t’i shohim në parlament qëndror e lokal, në resore ministrore e agjenci vitale të vendit. Ato do të ndryshojnë perceptimet negative që bota krijoi për ne gjatë këtyre 2 dekadave.

Kryeministri Albin Kurti e ka kuptuar me kohë se ardhja e grave në politikë është e pashmangshme dhe me kohë ua ka hapë portat e partisë së tij. Ai bëri gjithçka që me e ngritë sa më lartë profilin karizmatik të Vjosa Osamnit deri në kurorëzimin e saj si presidente.

Tash Vjosa Osmani është figura më emblematike e politikanes lidere shqiptare. Profili i saj do të kurajojë breza të tërë femrash të cilat do t’i sjellin Kosovës imazh më të mirë kombëtar e ndërkombëtar, stabilitet e qëndrueshmëri në të gjitha institucionet e vendit.

Koha e burrave arrogant e mujshor në politikë, të cilët politikën e përdorën shumë mirë për dalje nga anonimiteti dhe si mundësi për t’u ba milionerë, duket sikur mbaroi.

Dhe prania e Lumirit në krye të LDK-se solli modelin e ri të opozitarizmit konstruktiv, për të  cilin ka pas aq shumë nevojë skena politike shqiptare…

Prandaj dua të besoj se fryma e natës së Pashkes nuk ishte rastësi… Kam të drejtë të besoj se fryma e Zotit krijues u lëshue mbi këtë vend dhe iluminoi me shpresë e besim njerëzit e dërrmuem të këtij vendi. Ndoshta janë Vjosa, Albini dhe Lumiri ata, në mendjet e të cilëve u instalua ajo frymë e mirë.

Ndoshta  janë ata, të cilët do ta nxjerrin këtë popull nga hendeku i dëshpërimit.  Unë dua të besoj se është kështu. E ju skeptiket mund të vazhdoni të kërkoni “fakte” bindëse për t’i bind të bindurit ndryshe se e kanë gabim…

Të shohim! I kemi përpara 4 vite kohë. Deri atëherë mund t’i urojmë Vjoses, Albinit dhe Lumirit punë të mbarë dhe jetë të shëndetshme politike, e cila i duhet këtij vendi më shumë se buka.

Zoti qoftë me ta përderisa do të synojnë qëllime të mira.

Shkruan: Fadil HYSAJ

Leave a Reply