Flamuri apo Hymni? (Por, Jo vetëm kaq!)

0
458

Identiteti dhe paradoksi i botës shqiptare
Kur jam pyetur prej autoriteteve të Perëndimit për identitetin e shqiptarëve kam thënë se ky identitet është farkuar në përpjekje, përplasje dhe luftëra të përgjakshme, shekullore, për të mbetur gjallë si popull, me gjuhën e vet, me zakonet e veta dhe me kulturën e vet. Identitet si i secilit popull tjetër europian.
Është e vërtetë se shumica e shqiptarëve janë të besimit mysliman, por kjo nuk mund të bie ndesh me vetëdijën tonë historike, të krijuar gjatë atij rrugëtimi të gjatë e të përgjakshëm. Ajo vetëdije domosdo e shtron nevojën për shtet, si strukturë ku mund të vazhdosh i qetë rrugën e zhvillimit tënd të ligjshëm.
Popujt arabë nuk e ndiejnë nevojën për shtet, të paktën jo deri tani. Ata kanë pushtete, jo shtete – në kuptimin europian të fjalës.
Kushdo nga ne që është dresuar politikisht në shkretëtirat arabe (për dresimin nëpër manastire të flasin të tjerët), sado që atje ka vajtur për shkollim fetar, por ka vajtur krejt i paformuar, çilimi, sigurisht që konceptin shtet nuk e njeh. Nuk ka asgjë të keqe: madje edhe në demokracitë perëndimore gjenden njerëz që nuk dijnë të votojnë. Përplasja fillon kur këta njerëz kthehen në vendin e vet dhe përpiqen me dhunë të ndryshojnë mendjen e njerëzve, duke kërkuar të heqin dorë nga shteti, se paska projekte të tjera, globale. Të luftosh me vetëdijën qindravjeçare të popullit tënd jo vetëm që është e kotë, por edhe e panevojshme dhe e pandershme. Paj, Librat e Shenjtë legjitimojnë ekzistencën e popujve të ndryshëm. Kaq e paqartë është kjo?
Pak a shumë këto ishin tezat e mia në ato bashkëbisedime. Mirëpo, në qoftë se unë besoja në to, bashkëbiseduesi im mund t’i merrte si teori, asgjë tjetër. Shtoja këtu edhe deformimet që kishte lënë diktatura në Shqipëri e robëria në Kosovë, tezat e mia kishin pak gjasa të merreshin si diçka serioze.
Si ta demonstroja se kisha të drejtë?
14 tetor 2014
Asgjë nuk pati filluar si duhet. Kush u pajtua nga europianët që shteti shqiptar të poshtërohej sa të hiqte dorë nga tifozët e vet, nga simbolet e veta, madje edhe nga ngjyrat e rrobave?
Si u pajtuan autoritetet shqiptare me këto kushte?
Më në fund, pse këto kushte? Për të mos e acaruar situatën? Dhe ç’u bë me këtë projekt?
Jo, asnjë fjalë për situatë, jo të qetë, por as më pak të acaruar. Doli se ato masa janë marrë për të mos e trazuar stimung-un e orgjisë diabolike të asaj turme atje. Doli se ato masa janë marrë për të treguar se Beogradi, jo se nuk e njeh Kosovën si shtet, jo se nuk e njeh Shqipërinë si shtet, por nuk njeh as ekzistencën biologjike të shqiptarëve. Sikur mos të ishte kështu, presidenti do të urdhëronte spikerin zyrtar të informojë se presidenti braktis atë ambient ku fyhen mysafirët në atë mënyrë. Të paktën, unë do të veproja kësisoj. Ivanović e Kolarov vepruan kësisoj.
Kohëve të fundit, për shkak të Heraklitit, fragmenti XV, përpiqesha të kuptoj, duke shfletuar tërë literaturën që kisha në dispozicion, kremtimet për nder të Dionisit, perëndisë greke. Ato ishin të përgjakshme dhe nën shenjën e fallusit. Nuk ma kapte mendja ç’domethënie mund të kishte ky mit për njeriun. Ku është baza në jetën shoqërore që justifikon krijimin e këtij miti?
Kur e pashë atmosferën e asaj loje, u binda se nuk është përrallë ai mit, por është shprehje e atij potenciali destruktiv në natyrën njerëzore.
Raporti
Njëmbëdhjetë djem të rinj, të urtë, të qetë, madje të veshur në të bardha, si flijimet njerëzore në tempujt e lashtë.
Rreth tyre një popullatë sa Athina e Lashtësisë a Sparta, duke thirrë me atavizëm: vrani, preni, preni, vrani, vrani, preni.
Terror i shpërpjestimeve epike. Por kjo nuk është fundi i ferrit: fundi i ferrit është jo frika nga vdekja, sa poshtërimi e turpi. Kafka tha: “Më e rëndë se vdekja, më erdhi turpi. U thera si qen”.
Po, ishte konfrontim mitik.
Si të kompensohej ky shpërpjestim nga njëmbëdhjëtë kecër në të bardha? Asnjë përrallë nuk do ta merrte guximin të fantazonte ndonjë mrekulli.
Jo, këta njëmbëdhjëtë djem ndien peshën që nuk e kishin imagjinuar as në makthet më të errëta. Nuk ka pasur as formulime gjuhësore artistike, si parapërgatitje. Përjetime të pashprehshme. Njerëzit vdesin e vriten e pushkatohen në luftë, por ato janë vdekje që janë kalkuluar prej viktimave. Mënjanë shpresën. Njëmbëdhjëtëshja shqiptare ishte aty për show, për lojë. Dikush ka marrë edhe ndonjë anëtarë familje me vete.
Vrani, preni, preni, vrani.
Shenja
Dhe, si prej qiellit, shfaqet simboli i Flamurit Kombëtar, jo a i shtetëror, por heraldika e Skënderbeut.
Madje – pikërisht prej qielli.
Ka një meskinitet kur thuhet jo harta e Shqipërisë etnike, jo figurat historike. Jo, ishte vetëm imazhi i Flamurit kombëtar ai që bëri efektin e paimagjinueshëm.
Kam një dashuri të madhe për poemën “Kënka e sprasme e Balës”. Por e kam konsideruar si krahasim jo të fortë kur Dara i Riu flamurin e bën më të fuqishëm se këngën e përjetshme.
“Këtu diçka nuk shkon, – i thoshja vetes.” Por atë natë e pata krejt të qartë se poeti kishte të drejtë. Vetëm imazhi i Flamurit bëri që asnjë formë tjetër, për shkak të rrethanave, nuk do mund ta bënte kurrë. Si të komunikonte muzika a poezia brenda korit atavist: vrani, preni, preni, vrani?
Dhe ai imazh, vetëm me të parë, tha edhe foli edhe ngushëlloi me fuqi qiellore:
“Jo, ju nuk jeni vetëm…ju nuk jeni vetëm…nuk jeni vetëm.”
Kaq mjaftoi që të suprimohej ai shpërpjestim mitik. Që të arrihej e paarritshmja. Vrapoi Xhaka me shokë.
Dhe kështu me radhë.
“Bir, o me të, o mbi të!” I thoshte nëna spartanit duke ia dhënë mburojën për luftë. Mirëpo, babai i Xhakës tha diçka më të fuqishme. Sepse ai pa edhe përtej djalit të vet.
Jehona e menjëhershme, edhe përgjigjja
Pastaj u dynd ajo ndërgjegjja qindravjeçare historike e shqiptarëve, që nga Tuzi e në Preshevë, që nga Shkodra e në Vlorë.
Doli demonstrimi tek i cili shpresoja kur bisedoja për identitetin e shqiptarëve.
Doli kotësia e përpjekëve të projekteve nga kabinetet e fshehta që me një grusht dollarë të mbillej identitet tjetër.
Doli dëshmia më e fuqishme për miqtë e vullnetit të mirë se raportet me shqiptarët nuk zhgënjejnë. Sot e njëmijë vjet.
Në Prishtinë fëmijët vërshuan rrugët edhe këndonin të përlotur: “O, ku ka si ti, moj Shqipëria ime.”
Paradoksi
Si e trajtuan figurat publike këtë zhvillim tej mundësive racionale?
Analistët bëjnë shaka, politikanët bartin pas vetes prapanicat për t’i akomoduar sa më lart.
Kjo nuk më dëshpëron. Sepse vitaliteti dhe potenciali i një populli hetohet në paradokset që ai ngërthen. Do të dëshiroja që paradokset të gjendeshin tek ndonjë shtresë tjetër, jo tek njerëzit që janë zotuar se veshi i tyre përgjon mesazhet që dërgon populli i tyre.
Por, do të kalojë edhe kjo.
Mjafton që rrugët e qyteteve tona të vërshohen nga fëmijët që këndojnë të përlotur:
“O, ku ka si ti, moj Shqipëria ime!”

Shkruan: Eqrem KRYEZIU

– Autori këtë shkrim e ka publikuar menjëherë pas ngjarjes së dronit të famshëm në Beograd në ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply