Buka e nanës

0
814

Sot e vizitova një shok që jeta na bashkoi nga halli i njejt. U njohëm para tre viteve në vendin e punës. Ai kurbetqar i vjetër, mbi dy dekada, e unë atëherë kisha pak ma shumë se dy vite që isha detyruar ta lë vendlindjen!

Siç e do zakoni i shqiptarit, po trokiti tek dera, fjala e parë është: mirë se erdhe, mirë se të ka pru Zoti!

Edhe unë veç për mirë shkova. Pasi më nuk jemi koleg, nuk e kisha taku moti dhe vendosa ta vizitoj. Pasi u përshëndetëm më priu për në dhomën e pritjes.

Muhabet e llafe sa s’bën më!.

Kur desha të ngrihem pas nja dy ore, tha: e ku po don me ik pa hangër një kashore bukë?!

Unë jo, ai po…. Edhe po mbet se s’bënte ndryshe. U shtrua sofra me të mirat e botës që i ka dhënë Zoti!

Miku im, nxorri nga frigoriferi një copë të vogël buke të ngrirë dhe e la afër vetës. Unë vështrova dhe me mendje thoja, çka po don ky me këtë?!

Deri sa hangrëm, e bëheshim gati të ngrihemi nga sofra, ai, për kafshatë të fundit, hangri bukën nga frigoriferi dhe tha: të lumshin duart oj nana ime!

Kur e pyta pse kështu?!

Ai ma ktheu: e vllau jem i dashur, unë sa herë vi prej vizitës në vendlindje e marr një bukë të gatuar e pjekur nga nana ime plakë. Atë bukë e thërmoj në kashore dhe e ngrijë në frigorifer që mos prishet, çdo ditë e ha nga një kafshore, sa mu ç’mallë pak me nanën!

Kur më soset buka e di që është koha me shku e me ja puthë duart nanës, me ndejt disa ditë me to e me marr një bukë me vete.

Deri sa atij i pshtuan lotët, unë fillova të dënesë e ju bashkova atij në mërzi.

Na bukë u ngimë e me lot u shfrymë!

Juve që i keni nanat afër, po ju lus si vllazën, motra e miq, dijani vlerën nanës dhe mos ja leni bukën me ju bo bajat, e ju tuj hangër rrugve.

Ju dua edhe juve që më urreni.

Zoti ju ruajt.

Shkruan: Abdullah THAÇI

Leave a Reply