Kandidati për president i Barçës, i mbyll dyert rikthimit të Neymar!

0
333

Barcelona nuk do të përsërisë më gabimet e së kaluarës. Janë këto fjalët e kandidatit kryesor për të marrë presidencën e klubit të Barcelonës Victor Font.

48-vjecari nga Granollers deklaroi se nuk ka aspak ndër mend për të ndërtuar fushatën e tij zgjedhore duke u mbështetur te transferimet e çuditshme apo premtimet boshe, megjithatë Font rrëfeu se ai do të bëjë të gjithë përpjkekjet për të bindur kapitenin Leo Mesi për të rinovuar kontratën me klubin e famshëm katalanas. Victor Font këmbënguli në idenë e tij, teksa shpjegoi për “Goal” se nuk do të veprojë si kandidatët e mëparshëm, në historinë e klubit dhe të përsërisë po të njëjtat gabime, duke premtuar për shembull blerjen e sulmuesit të ri dhe tepër të talentuar norvegjez Erling Haaland.

Shtypi katalanas ka lënë të kuptohet ndërhyrjen e Barcelonës, në rast se krijohet mundësia e largimit të 20-vjecarit nga radhët e verdhezinjve të Borusias së Dortmundit, por për hir të së vërtetës klubi blaugrana nuk i ka as mundësitë dhe as fondet e duhura për t’u përgatitur për një lëvizje të tillë, prandaj në një kohë të vështirë si kjo është shumë më e udhës për të mos krijuar iluzione të kota te fansat e shumtë të skuadrës. Klubi i Barcelonës kërkon që të shmangë një situatë të tillë të pakëndshme dhe të ofrojë shpresa të rreme te përkrahësit e ekipit, e në fakt edhe vetë Victor Font ka përjashtuar në mënyrë kategorike një rikthim të mundshëm të sulmuesit brazilian Neymar.

48-vjecari katalanas qartësoi se krerët e klubit të Barcelonës nuk duhet të përsërisin po të njëjtin gabim që bënë edhe në rastin e mesfushorit anglez David Beckham. Në vitin 2003 Joan Laporta u bë gati për të marrë postin e drejtuesit më të lartë, duke premtuar se nëse do të zgjidhej ai president Barca do të kishte prioritet për të afruar në gjirin e skuadrës futbollistin e mirënjohur anglez, që në atë kohë ishte 28 vjec si moshë. Historia dihet i gjithë ambjenti blaugrana mbeti keq, pasi kapiteni i përfaqësueses angleze preferoi Madridin dhe u transferua te rivalët e përbetuar të Realit. Victor Font deklaroi se është një fans i zjarrtë i brazilianit Neymar, por 48-vjeçari rrëfeu se nga këndvështrimi i tij nuk e shikon sulmuesin paulist të transferohet sërish në Katalunjë, pasi sipas tij kjo gjë tani është e pamundur dhe krejtësisht jashtë realitetit, duke patur parasysh gjendjen e vështirë financiare të klubit. Font tha plot krenari se ne jemi Barcelona, por Neymar preferoi të largohet drejt Paris SG, kështuqë klubi është më rëndësishëm se cfarëdo lloj personi tjetër.

Victor Font shtoi se në bazë të marrëveshjes së arritur ky mund të jetë edhe viti i fundit i Mesit me skuadrën e famshme katalanase, por sidoqoftë ai shpjegoi se po punohet me të gjitha forcat për ta bindur kapitenin që të qëndrojë dhe ta mbyllë karrierën e tij të shklëlqyer pikërisht në radhët e Barcës. Nëse kjo gjë nuk do të arrihet atëherë sipas Victor Font duhen bërë përpjekjet maksimale nga të gjithë në mënyrë që ylli argjentinas të largohet me të gjitha nderimet që i takojnë. Zgjedhjet për presidentin e ri të Barcelonës do të zhvillohen më datën 24 janar dhe Victor Font është pikërisht kandidati kryesor për të pasuar në radhë presidentin e 40 në historinë e klubit Josep Maria Bartomeu, që dha dorëheqjen tetë javë më parë, pas afërsisht 6 vjetëve në detyrë./SS

Leave a Reply