Hovenier për Asociacionin: S’është krahinë autonome brenda Kosovës

0
140

Për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, drafti i pranuar nga Kosova për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe “përputhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, dhe se “nuk krijon autoritete ekzekutive apo kompetenca për Asociacionin”.

“Kjo nuk është krahinë autonome brenda Kosovës”, theksoi Hovenier në një intervistë Atlantic Council,

Hovenier i ka thënë gazetares Ilva Tare, se nuk ka kohë për të humbur për zbatimin e Asociacionit, teksa ka lexuar mes rreshtave deklaratën e Presidentit të Francës, Kryeministres të Italisë dhe Kancelarit të Gjermanisë, pas takimeve që patën me kryeministrin kosovar Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, ku përdorën fjalë si “urgjente, e shpejtë”.

Kryeministri Kurti ka kërkuar vazhdimisht që të nënshkruhet Marrëveshja Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, 18 mars), si dhe draftin e Asociacionit, madje këtë ua ka thënë edhe liderëve evropianë, mirëpo për Hovenier mjafton angazhimi në zbatimin e këtyre marrëveshjeve, pasi që vlerëson se pjesa tjetër është shpërqendrim.

“Serbia ka hyrë në këto obligime dhe është përkushtuar për ta bërë këtë, ashtu si edhe Kosova. Dhe ne mendojmë se ka një shpërqendrim në këtë çështje të nënshkrimeve në vend që të ecim përpara për të zbatuar dhe ekzekutuar nga të dyja palët”, ka potencuar Hovenier.

Çfarë po kërkojnë nga Kosova dhe Serbia ndërkombëtarët?

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në këmbim të njohjes de-facto, apo anasjelltas.

Ky ishte mesazhi që liderët e tri shteteve më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian, më të angazhuar se kurrë më parë për të zgjidhur konfliktin mes dy fqinjëve ballkanas, i përcollën tek Kosova dhe Serbia të premten e 27 tetorit.

Këtë e bënë përmes një komunikate të përbashkët të lëshuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, një ditë pasi që takuan ndaras Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten në Bruksel.

Leave a Reply