Dogana zbulon 20 tonë mallra të skaduara në Mitrovicë

0
63

Dogana e Kosovës ka zbuluar pothuajse 20 mijë kilogramë produkt ushqimor me bazë yndyre bimore me afat të skaduar gjatë një kontrolli në një depo doganore të autorizuar në rajonin e Mitrovicës.

Pas verifikimit të dokumentacionit dhe krahasimit të të dhënave elektronike me gjendjen faktike në depo, është konstatuar se 19,875 kilogramë mall kishin tejkaluar afatin e përdorimit. Për rastin është njoftuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila ka urdhëruar asgjësimin e produkteve sipas legjislacionit në fuqi.

Gjatë të njëjtit kontroll, Dogana ka evidentuar edhe mungesën e 5,450 kilogramëve mall që duhej të ishin nën mbikëqyrje doganore, por që nuk janë gjetur në hapësirat e depos. /Gazeta Express

Komunikata e plotë:

Dogana e Kosovës zbulon mallra me afat të skaduar dhe mungesë stoku në një depo doganore

Dogana e Kosovës, përmes kontrolleve të rregullta të autorizimeve doganore dhe mbikëqyrjes së mallrave nën kontroll doganor, ka realizuar një vizitë kontrolluese në një depo doganore të autorizuar në rajonin e Mitrovicës.

Gjatë kontrollit është verifikuar përmbushja e kushteve dhe detyrimeve që rrjedhin nga autorizimi për ruajtjen e mallrave nën mbikëqyrje doganore. Pas analizimit të dokumentacionit dhe krahasimit të të dhënave elektronike me gjendjen faktike në depo, zyrtarët doganorë kanë konstatuar se një pjesë e mallrave të depozituara kishte tejkaluar afatin e përdorimit.

Bëhet fjalë për 19,875 kilogramë produkt ushqimor me bazë yndyre bimore, për të cilin është konstatuar se afati i përdorimit kishte skaduar. Për këtë rast është njoftuar menjëherë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), zyrtarët e së cilës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konfirmuar gjendjen e mallit, duke urdhëruar asgjësimin e tij në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Mallrat me afat të skaduar janë larguar nga depoja doganore dhe janë transferuar sipas procedurave përkatëse në hapësirat e përcaktuara nga Dogana e Kosovës, deri në përfundimin e procedurave të asgjësimit.

Po ashtu, gjatë inventarizimit fizik të stokut, është konstatuar një mospërputhje ndërmjet gjendjes së raportuar dhe asaj faktike. Nga sasia që duhej të gjendej nën mbikëqyrje doganore, mungonin 5,450 kilogramë mall, të cilat nuk janë gjetur në hapësirat e depos doganore gjatë kontrollit.

Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurat e mëtejshme administrative dhe hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore, në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe Akcizave.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesave fiskale të Republikës së Kosovës, garantimin e sigurisë së konsumatorëve dhe zbatimin e ligjit në të gjitha procedurat doganore

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here