Kumbulla është një frut i pasur me përbërës antioksidues, përfshirë polifenolet dhe antocianinat, të cilat studiohen për rolin e tyre në mbrojtjen e qelizave nga stresi oksidativ. Për këtë arsye, ajo përdoret edhe në disa përgatitje natyrale për kujdesin e lëkurës.
Një maskë e thjeshtë me kumbull mund të ndihmojë në zbutjen dhe hidratimin e përkohshëm të fytyrës, veçanërisht kur kombinohet me përbërës hidratues.
Si ta përgatisni maskën?
Për këtë maskë ju nevojiten:
- Një kumbull e pjekur;
- Një lugë e vogël mjaltë;
- Një lugë kos natyral.
Shtypeni kumbullën derisa të krijohet një masë homogjene, më pas shtoni mjaltin dhe kosin. Përziejini mirë dhe aplikojeni maskën në fytyrë të pastër, duke shmangur zonën rreth syve.
Lëreni të veprojë për rreth 10 minuta dhe më pas shpëlajeni me ujë të vakët. Në fund, aplikoni kremin tuaj hidratues.
Çfarë duhet të keni parasysh?
Një studim i publikuar në vitin 2025 në revistën shkencore Lekovite Sirovine shqyrtoi përdorimin e vajit të farave të kumbullës në një formulim kozmetik. Rezultatet treguan rritje të hidratimit të lëkurës gjatë përdorimit 28-ditor, por këto gjetje nuk dëshmojnë se maska e përgatitur me tul kumbulle ka të njëjtin efekt.
Dermatologët këshillojnë që çdo maskë e re të provohet fillimisht në një pjesë të vogël të lëkurës. Nëse shfaqen skuqje, kruarje apo djegie, duhet të shpëlahet menjëherë. Personat me lëkurë të ndjeshme ose alergji ndaj përbërësve duhet të tregojnë kujdes të veçantë.
Maskat shtëpiake mund të jenë pjesë e një rutine të thjeshtë kujdesi, por nuk zëvendësojnë produktet dermatologjike dhe trajtimet e nevojshme për problemet e lëkurës./04 Online/















































