Pickimi nga meduzat mund të shkaktojë dhimbje të forta, djegie, skuqje dhe kruajtje të lëkurës. Një nga mënyrat që mund të ndihmojë në lehtësimin e këtyre simptomave është zhytja e zonës së prekur në ujë të ngrohtë.
Sipas rekomandimeve të publikuara në vitin 2025 nga Komiteti Ndërkombëtar për Reanimim (ILCOR), uji me temperaturë 40–45°C mund të ndihmojë në zvogëlimin e dhimbjes pas pickimit nga meduzat, krahasuar me disa metoda të tjera të trajtimit. Megjithatë, rekomandimi mbështetet në prova me siguri të ulët dhe efekti mund të ndryshojë sipas llojit të meduzës.
Si duhet të veproni pas pickimit?
- Shpëlajeni zonën e prekur me ujë deti, jo me ujë të ëmbël.
- Hiqni me kujdes tentakulat e mbetura, duke shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me duar.
- Zhytni pjesën e prekur në ujë të ngrohtë, por jo përvëlues, për rreth 20 minuta.
- Mos e fërkoni zonën e pickuar dhe mos përdorni alkool apo amoniak.
Sipas udhëzimeve të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar Britanik (NHS), nëse dhimbja është e fortë ose nuk qetësohet, duhet kërkuar ndihmë mjekësore.
Në rast të vështirësive në frymëmarrje, dhimbjeve në gjoks, marramendjes së rëndë, të vjellave ose ënjtjes së madhe, nevojitet ndihmë urgjente mjekësore.
Ekspertët theksojnë se trajtimi duhet të përshtatet sipas llojit të meduzës, pasi jo të gjitha pickimet reagojnë njësoj ndaj metodave të ndihmës së parë./04 Online/















































