5 shtetas turq në paraburgim pasi e rrëmbyen dhe kërcënuan një person për të ndalë punimet në Prizren

0
34
Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj pesë shtetasve të Turqisë, të dyshuar për lëndim të lehtë trupor, shtrëngim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar me kërkesë të Prokurorisë së Shtetit dhe mund të zgjasë deri më 9, respektivisht 10 dhjetor 2026.

Të dyshuarit me inicialet M.D., M.D.G., S.K., R.O. dhe M.P. dyshohet se më 1 nëntor 2026, rreth orës 07:20, në Prizren, kanë sulmuar fizikisht një person me inicialet S.B., pasi fillimisht ia kishin bllokuar rrugën me një furgon.

Sipas dyshimeve të paraqitura në kërkesën e Prokurorisë, pesë të pandehurit e kanë ndjekur dhe sulmuar viktimën me grushte e shqelma, ndërsa dyshohet se kanë përdorur edhe thika, duke i shkaktuar nëntë plagë shpuese-prerëse. I dëmtuari më pas ka kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Por, sipas dosjes së Prokurorisë, sulmi nuk ka përfunduar me kaq. Të dyshuarit më pas e kanë futur me forcë viktimën në furgon, ia kanë vendosur një thes në kokë dhe e kanë dërguar në një shtëpi private në një lagje të Prishtinës.

Aty, sipas dyshimeve, e kanë mbajtur të mbyllur kundër vullnetit të tij për rreth dhjetë orë, duke e kërcënuar me thika dhe duke ushtruar dhunë e presion të vazhdueshëm.

Qëllimi i tyre dyshohet se ishte detyrimi i viktimës për të ndërprerë aktivitetin e tij të punës në ndërtimin e objekteve të një kompanie në Prizren, për t’i larguar punëtorët dhe për t’u larguar nga territori i Kosovës.

Rreth orës 17:00 deri në 17:30 të së njëjtës ditë, të dyshuarit dyshohet se e kanë kthyer viktimën në Prizren, sërish me thes në kokë, dhe e kanë lënë në rrugë.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke u bazuar në provat materiale dhe shkresat e dorëzuara nga Prokuroria.

Një nga arsyet kryesore për caktimin e kësaj mase është rreziku i arratisjes, pasi të dyshuarit janë shtetas të huaj dhe kanë qëndrim e punësim të përkohshëm në Kosovë.

Gjithashtu, Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që, nëse lihen të lirë, të dyshuarit të ndikojnë te i dëmtuari dhe dëshmitarët eventualë, me qëllim të pengimit të procedurës hetimore.

Sipas Gjykatës, ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprave penale.

Për këto arsye, Gjykata ka konstatuar se masat e tjera alternative nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar rreziqet e identifikuara dhe se paraburgimi është masa më e përshtatshme në këtë fazë të procedurës.

Të pesë të dyshuarit po hetohen për tri vepra penale: lëndim i lehtë trupor, shtrëngim dhe privim i kundërligjshëm i lirisë.