Kurti në Irlandë për Komunitetin Politik Evropian: Duam të hyjmë në NATO e BE, por fillimisht na duhet statusi i vendit kandidat

0
36

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar mbështetjen e Irlandës për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi fillimisht duhet të marrë statusin e shtetit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim, shkruan Express.

Kurti i bëri këto deklarata në Dublin, ku po merr pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), pas pritjes nga kryeministri irlandez, Micheál Martin.

Ai tha se Irlanda përbën një shembull suksesi të integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa shprehu pritjet që Kosova të ketë mbështetjen e presidencës irlandeze.

“Republika e Kosovës gjithashtu dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por për të arritur aty së pari duhet të marrim statusin e vendit kandidat dhe të hapim negociatat për anëtarësim. Ne llogarisim në presidencën irlandeze”, deklaroi Kurti.

Kryeministri i Kosovës shfrytëzoi rastin për të falënderuar popullin irlandez për strehimin e më shumë se një mijë refugjatëve shqiptarë të Kosovës gjatë vitit 1999, të cilët ishin dëbuar nga vendi për shkak të luftës dhe dhunës së forcave serbe.

Ai gjithashtu falënderoi ushtarët dhe oficerët irlandezë që kanë shërbyer në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë për më shumë se dy dekada e gjysmë.

https://www.facebook.com/watch/?v=1599392621489955