Ndryshoni fjalëkalimin e Facebook

0

Facebook ka dështuar sërish në sigurinë kibernetike, që do të thotë se duhet të konsideroni mundësinë për të ndryshuar fjalëkalimin në këtë rrjet social. Sipas The Sun, fjalëkalimet e 600 milionë llogarive të përdoruesve ishin të ruajtura me tekst të thjeshtë, në vend që të ishin të koduara.

Vetë Facebook ka pranuar këtë gabim nga ana e saj dhe bëri me dije se problemin e kishte zbuluar pas një kontrolli rutinë të elementëve të sigurisë në muajin Janar. Lista me fjalëkalimet e 600 milionë përdoruesve që janë të ruajtura me tekst të thjeshtë, mund të hakerohet apo të vidhet nga palë të treta, duke bërë që ata të kenë akses në llogarinë tuaj të Facebook.

Pas këtij gabimi të Facebook me elementët e sigurisë kibernetike, ekspertët këshillojnë që të ndryshoni fjalëkalimin tuaj në këtë rrjet social në mënyrë të menjëhershme. Nëse të njëjtin fjalëkalimin e keni përdorur edhe në rrjete të tjera sociale apo llogari të tjera, është e këshillueshme që ta ndryshoni gjithashtu.

Ndonëse pranoi gabimin, Facebook shtoi se deri më tani nuk ka asnjë të dhënë që fjalëkalimet e 600 milionë përdoruesve të ruajtura me tekst të thjeshtë dhe jo të koduar, të jenë hakeruar apo përdorur nga palë të tjera. Megjithatë, këshillohet që t’i paraprini çdo situate dhe të ndryshoni fjalëkalimin.