Lufta e UÇK-së e patrajtuar në krijimet artistike, artistët fajin ia hedhin shtetit

0

Pas luftës së fundit në Kosovë, janë prodhuar disa filma si të metrazhit të gjatë po ashtu edhe të shkurtë që për temë boshte kishin veçmas pasojat e terrorit serb. Në anën tjetër në përgjithësi në krijimet artistike në masë të madhe mungon vet lufta, ajo e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në lidhje më këtë filmbërësit dhe kritikët e artit kanë mendime të ndryshme sa i përket kësaj pjese të paprekur që tregon historinë, sakrificën dhe heroizmin e të rinjve e të rejave që rrokën armët në duar për të mposhtur armikun.

Aktori dhe regjisori i njohur kosovar, Shkumbin Istrefi thotë për Indeksonline se për filma të tillë aksion duhet buxhet i madh dhe një gjë e tillë nuk mund të përballohet nga forcat e kineastëve kosovarë.

“Në filmat tanë të pasluftës më shumë janë trajtuar pasojat e luftës në të cilën ka qenë Kosova se sa lufa. Në anën tjetër, mendoj që vet lufta s’ka se si të trajtohet, por fati i individit në rrethana lufte, po. Nëse e shikojmë në kontekst, ka filma shqiptar që kanë trajtuar fatin e individit në rrethana lufte. Nëse e keni fjalën për filma të zhanrit aksion, me skena masive që trajtojnë beteja të caktuara, atëherë ky lloj filmi kërkon buxhet të madh nuk besoj që me këtë lloj filmi mund të konkurojmë tregun e blokbasterave hollivudian. Sikur të mund të joshim produksione hollivudiane të prodhojnë një film që trajton luftën tonë për liri, ata mund ta përballojnë dhe bëjnë si duhet ne me forca tona, vështirë”, është shprehur ai.

Por, regjisori dhe dramaturgu tjetër kosovar, Ben Apolloni thotë që lufta e UÇK-së edhe në ata pak filma që është trajtuar, është paraqitur në mënyrë aspak të mirë. Por fajin Apolloni ia hedh vet shtetit, sepse thotë që nuk po përkrahë artistët e rinj për të realizuar projekte të tilla kinematografike.

“Lufta e UÇK-së është trajtuar shumë pak në filmat që janë prodhuar në Kosovë dhe edhe në ato raste kur është trajtuar, është trajtuar për faqe të zezë. Lufta e UÇK-së, sakrifica e atyre që e krijuan dhe luftuan nën emblemën e UÇK-së është e jashtëzakonshme sa që po të ishim shtet normal, e të përkraheshin artistet me talent, deri tash do të kishim dhjetëra filma për këtë temë. Por, për fat të keq, shteti ynë që kemi tani e ka tradhëtuar UÇK-në”.

Ndërsa shkrimtari dhe kritiku i artit, Ilir Muharremi thotë se si filmat ashtu edhe dramat që kanë pas për bosht kryesor lufën e fundit janë trajtuar dobët. Ai thotë se këto krijime s’kanë pasur ngjarje brenda.

“Ka shumë filma për luftën e fundit, por janë trajtu shumë dobët. Edhe te shfaqjet po ashtu kanë qenë të dobëta. Arsyeja se përziheshin shumë tema, ngjarje brenda. Ëdhe gjithmonë përfundimisht ishin të dobëta, nuk bazoheshin në një tregim real me shtrirje mirë të strukturuar dramaturgjike”.

Muharremi tutje shton se lufta në krijimtarinë artistike është bazuar më shumë në përjetime personale, pa portretizuar heronjtë apo betejën e UÇK-së.

“Lufta gjithmonë është paraqit nga këndvështrimi jonë nga përjetimet personale reale të cilat i kemi përjetu krejt, p.sh pse nuk bëhet një film për jetën e Adem Jasharit. Edhe letërsia i ka trajtu në forma të cunguara. Kryesisht filmat i kanë bërë me femra të dhunuara shabllone. Ka fëmijë, pleq e të rritur me përjetime interesante”, shprehet ai për Indeksonline.

Ndryshe, deri më tani Qendra Kinematografike e Kosovës ka prodhuar dhjetëra filma që kanë prekur pasojat dhe përjetimet e luftës, projekte të cilat kanë rezultuar tejet të suksesshme, madje kanë arritur të marrin edhe çmime të rëndësishme në festivaleve të kategorisë A.

Kujtojmë këtu filmat si: “Tri dritare dhe një varje”, “Home Sweet Home”, “Agnus Dei”,”Kolonat”, “SHOK”, “Heroi”, “Heshtja” etj, përmes së cilëve bota u njoh me terrorin dhe atë që armiku serbë i bëri popullit të Kosovës./Indeksonline/