Zemaj: Nuk ka vend për panik, por duhet të respektohen masat

0
399

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, së bashku me drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, atë të Policisë Rashid Qalaj, mbajtën një konferencë për medie, lidhur me situatën e paraqitur me shtimin e rasteve të reja me CoVID-19 në Kosovë.

Me këtë rast, Ministri Zemaj, theksoi se gjendja aktuale me gjithë rastet e paraqitura është normale dhe nuk ka vend për panik.

Zemaj iu bëri thirrje qytetarëve që të mbajnë higjienën personale dhe distancën.

Po ashtu, ai njoftoi se do të shtohet intensiteti i kontrollit lidhur me respektimin e masave rekomandimeve nga IKSHPK për mbrojtje nga virusi. “Masat e kontrollit do të merren me seriozitet të shtuar”, u shpreh Zemaj.

Ministri i Shëndetësisë ftoi qytetarët të mos i besojnë perceptimeve dhe deklaratave që bëhen për interesat personale sa i përket virusit, duke thënë se qytetarët duhet t`i besojnë IKSHPK-së.

Nga ana tjetër, ai theksoi se nga nesër do të nisë lëvizja e lirë në kufij, derisa masat e sigurisë do të shtohen.

“Ta ruajmë vetveten, shëndetin dhe tjetrin, kjo është më shumë se sublime për të arritur ku duam”, tha mes tjerash ministri Zemaj.

Pas hapjes së kufijve tokësorë, sipas tij do të hapen edhe kufijtë ajrorë.

Kurse, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se falë kujdesit të qytetarëve është arritur që situata me CoVID-19 të jetë nën kontroll.

Ai theksoi se festat e muajit të kaluar, fillimi i punëve të institucioneve, hapja e bizneseve, etj, ka ndikuar në rritje të numrit të rasteve me CoVID-19, e që sipas tij janë 6 komuna më të prekura.

Ramadani theksoi se rastet nëpër komuna janë të lidhura me njëra terën për shkak të mos respektimit të rekomandimeve.

Drejtori i IKSHPK-së, bëri thirrje për kujdes meqë virusi është prezent, derisa sipas tij, përdorimi i maskës është domosdoshmëri.

Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashid Qalaj, ftoi qytetarët që t`i respektojnë masat kundër virusit CoVID-19, pas sipas tij është vërejtur dalje e pakontrolluar në rrugë, kafiteri e restorante.

“Bashkë do të arrijmë ta mposhtim virusin. Populli ka dhënë shembull në respektimin e masave Policia do t`i shtojë kontrollet në lokale të ndryshme me të vetmin qëllim që ta qojmë kah fundi virusin”, u shpreh ai.

Leave a Reply