Thaçi sqarohet rreth deklaratës për dorëheqje para vendimit të Kushtetueses

0
361

Presidenti Hashim Thaçi mohoi ta ketë ditur paraprakisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e dekretit me të cilin ai e mandatoi Avdullah Hotin për kryeministër.

Ai po ashtu e mohoi se ka ndikuar në aktgjykimin e Kushtetueses që i dha të drejtë atij dhe hapi rrugën për votimin e Qeverisë Hoti.

Por, ai në Rubikon tha se ka qenë i bindur se nuk ka bërë shkelje kushtetuese kur e ka mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.

Madje, sipas tij, kjo ishte edhe arsyeja që ai ishte i relaksuar.

“Nuk e kam ditur vendimin. Nuk kam pasur asnjë ndikim, madje as që kam pretenduar të kem ndikim. Relaksimi im ka ardhur nga ajo se kam qenë i bindur në drejtësinë e vendimit dhe dekretit tim, sepse në procedurë kam respektuar plotësisht vullnetin e njerëzve të Kosovës, e shumicës së partive politike dhe dy të tretave të përfaqësuesve të zgjedhur të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Kam respektuar edhe aktgjykimin e vitit 2014, të gjitha procedurat e nevojshme dhe të drejtën kushtetuese dhe ligjore. Atë disponim që e kam pasur para vendimit e kam edhe sot”.

Ndonëse u përfol shumë nëse do të jepte dorëheqje ose jo në rast të një aktgjykimi ndryshe të Kushtetueses, presidenti i vendit tha se një gjë e tillë nuk varej nga ky vendim.

“Realisht çështja e dorëheqjes sime nuk ka qenë fare për t’u diskutuar për arsye se ka qenë çështje e një dekreti që mund të jetë i drejtë ose jo i drejtë, por nuk ka pasur fare të bëjë me shkelje të rendit kushtetues edhe nëse nuk do t’i jepte të drejtë Gjykata Kushtetuese”.

I pari i vendit u shpreh i bindur se Gjykata Kushtetuese nuk merr vendime politike, duke shtuar se ky institucion ka shkuar në drejtim të asaj që askush nuk mund ta bllokojë ndërtimin e institucioneve të vendit.

Leave a Reply