Interi ka përparësi ndaj PSG-së, Cityt dhe Unitedit, për nënshkrimin e Messit

0
523

Interi ka përparësi ndaj Paris Saint-Germainit, Manchester Cityt dhe Manchester Unitedit, në garën për transferimin e Lionel Messit – raporton Mundo Deportivo.

Superylli katalunas i ka dërguar faks klubit duke kërkuar ndërprerjen e kontratës, ndërkohë që Blaugranët konsiderojnë se klauzola për ta bërë këtë ka skaduar.

Në rast të largimit të 33-vjeçarit, janë një numër i vogël klubesh që mund ta përballojnë transferimin e tij, ndërsa sipas gazetës spanjolle, Nerazzurrët kanë përparësi për shkak të ligjeve tatimore.

(Foto: Manu Fernandez/Pool via Getty Images/Guliver)

“Interi ka një avantazh të pastër ndaj PSG-së, Manchester Cityt dhe Manchester Unitedit, për shkak të ligjeve italiane për tatimet. Interi mund të operojë shumë më lehtë me procesin e transferimit dhe Leo do të duhej të paguante më pak tatime sesa në Spanjë apo Angli”, ka shkruar autori i Mundo Deportivo, Francesc Aguilar, në Twitter.

Kujtojmë që në vitin 2016, argjentinasi ishte përfshirë në një skandal të mashtrimit me tatime, ku bënte pjesë edhe babai i tij, Jorge. Ky i fundit, para disa muajsh bleu një apartament luksoz në Milano, ndërsa Gazzetta dello Sport spekuloi se djali i tij do ta ndiqte pas.

Pikërisht, ligjet për tatimet janë përmendur edhe si arsye e largimit të Cristiano Ronaldos nga Real Madridi drejt Juventusit në vitin 2018./Telegrafi

Leave a Reply