Rrëfimi i një gruaje: “Familja më mësoi të gjitha punët e shtëpisë, por nuk do ta bëjë kurrë këtë me vajzën time dhe ja pse”

0
181

“Hej a mund të më ndihmosh të përgatisim fëmijët për të fjetur?”, pyeta burrin tim.

Unë kam tre fëmijë dhe orari i gjumit të tyre çdo natë është i njëjtë. Sigurisht që ata kanë nevojë për të veshur pizhama, për të larë dhëmbët dhe për të kryer të gjitha ritualet e tyre të vogla. Dhe kjo është shumë e lehtë kur bëhet nga dy persona dhe jo vetëm prej meje.

Shpesh më duhej ti kërkoja burrit tim të më ‘ndihmonte’ t’i çoja fëmijët tanë në shtrat sikur të ishte puna ime që po i delegohej atij për një ndihmë shtesë.

Sinqerisht që jam përballur me shumë situata të tilla ku jam ndjerë e lodhur saqë ndonjëherë më dukej sikur nuk kisha kohë as të merrja frymë.

Bashkëshorti im në vend që të vinte re se çfarë duhej bërë në shtëpi dhe ta bënte vetë, ai priste gjithmonë orientim nga unë. Është e vërtetë, ai lante enët, blinte ushqimet, hidhte mbeturinat, por për aq kohë sa ja kërkoja unë.

Dukej sikur sa herë që doja të bëja diçka, duhej specifikisht t’i thoja ‘më ndihmo’ dhe më pas ai të përfshihej në punët e shtëpisë.

Ngarkesa mendore duke parë me kujdes se çfarë pune duhej bërë, bërja e planeve, kërkesa e ndihmës në një mënyrë të moderuar që mos të refuzonte ishte një ngarkesë shumë e madhe që rëndonte vetëm mbi mua. Madje shumë herë ishte më e lehtë t’i bëja të gjitha gjërat vetë. Por në fakt e vërteta ishte se nuk doja thjeshtë ‘ndihmë’. Unë kisha nevojë për një partner që merrte përgjegjësi të barabartë për jetën tonë të përbashkët. Sepse fjala ‘ndihmë’ nënkuptonte gjithçka që shihej si përgjegjësi e imja dhe që bashkëshorti e kishte punë shtesë.

Në vend që t’i shihte kontributet e tij si një detyrë, punët që ai bënte në shtëpinë tonë përcaktohej gjithmonë si ndihmë ndaj meje. Por a isha vërtet vetëm unë që përfitoja nga të pasurit e pjatave apo rrobave të pastra? Sigurisht që jo. Puna shtëpiake është pjesë e një ekosistemi më të madh që përfitojnë të gjithë ata që jetojnë në këtë shtëpi.

Më besoni është një ndryshim i vogël gjuhësor, pasi përdorimi ose mospërdorimi i fjalës “ndihmë” në lidhje me punën shtëpiake ka pasoja të fuqishme për mënyrën se si ne i shohim rolet gjinore.

Nëse jam unë që vazhdimisht kërkoj ndihmë, po i përforcoj vetes dhe të tjerëve se ngarkesa mendore dhe puna shtëpiake në thelb janë vetëm detyra të miat, që nëse nuk i bëj unë ato s’kanë për t’u përfunduar kurrë.

Dhe kur falënderoj burrin tim që “më ndihmoi” duke bërë diçka që dhe ai përfiton nga jeta jonë e përbashkët, në fakt jam duke i thënë se ai po bën punën time- aq më keq nëse ja them edhe në sy të fëmijëve.

Ndaj kjo është arsyeja pse unë kam vendosur të ndaloj së përdoruri fjalën “ndihmë”, jo vetëm me burrin tim, por edhe me fëmijët tanë. Në shtëpinë tonë gjatë viteve të fundit, është e rrallë që më duhet t’i kërkoj burrit tim të ndajmë detyrat e jetës së përditshme. Ai ka vendosur të përfshihet plotësisht, të marrë iniciativën e barabartë dhe vëren se çfarë duhet bërë e bën, pa ja kërkuar unë së pari. Dhe nëse ka diçka që nuk është kryer ende unë thjesht i kërkoj atij të përfundojë detyrën dhe kaq.

Unë sot e falënderoj që ‘përqafoi’ këtë ndryshim dhe bën atë që duhet bërë, por nuk po e falënderoj që më ‘ndihmoi’. E njëjta logjikë vlen edhe për mënyrën se si ne po i rrisim fëmijët tanë.

Unë nuk u kërkoj atyre të “ndihmojnë mamin” duke sjellë sende ushqimore sepse edhe ata janë përfitues nga ushqimi në tavolinë, përgatitja e vakteve apo pastrimi i hapësirave të përbashkëta. Unë nuk dua që ata t’i shohin përgjegjësitë e tyre të përbashkëta në shtëpinë tonë si “të ndihmojmë nënën”, sepse ata do të rriten duke përvetësuar të njëjtin mesazh të mallkuar se gjithçka është “punë e mamasë”.

Ashtu siç nuk dua që vajza ime të ndihet se gjithçka është përgjegjësi e saj, dua që djemtë e mi të dinë se duhet të presin të marrin pjesën e tyre të punëve në shtëpitë e tyre. Zhvendosja e gjuhës sonë nga “ndihmë” dhe modelimi i një shtëpie të përbashkët në mënyrë të barabartë është diçka për të cilën po përpiqem ta bëjnë shumë familje në ambientet e tyre.

Do thoni se kjo është e vështirë për t’u vendosur në praktikë? Është shumë e thjeshtë! Hiqni fjalën ndihmë nga fjalori juaj dhe më besoni që funksionon, me partnerin dhe gjithashtu me fëmijët.

Në vend që të thoni: “Është koha për të ndihmuar mamin të pastrojë”, mund të thoni: “Është koha për të pastruar dhomën e lojërave. Ju mund t’i merrni ato blloqe dhe unë do t’i lë mënjanë këto libra”. Unë përdor gjithashtu shumë fjali shkak-pasojë si: “Duhet të pastroni tryezën që të bëhemi gati për darkën”.

Zëvendësimi i fjalës ‘ndihmë’ nuk do të thotë të heqësh qafe mirënjohjen ose të mos përforcosh sjelljen e mirë. Por mua më pëlqen të them gjëra të tilla si: “Ke bërë një punë vërtet të bukur me atë detyrë. Duket kaq mirë këtu!” ose “Vura re se sa shumë ke punuar për atë detyrë. Faleminderit që keni bërë një punë kaq të madhe.”

Mund të ndihet e sikletshme në fillim, por e di se ia vlen të luftojmë për të zëvendësuar disa fjalë gjuhën tonë. Sidomos nëse gjinia tjetër mësohet të mos ndjejë përgjegjësi për punët në shtëpi.

Unë nuk jam aspak falënderuese ndaj familjes që më mësoi gjithçka rreth punëve të shtëpisë dhe që duhet t’i bëja mirë se isha vajzë, ndaj unë sot kam vendosur që vajzën dhe djemtë e mi në mënyrë të barabartë, t’i mësoj se si të veprojnë edhe në të ardhmen.

Leave a Reply