Ndryshimi në Kosovë, vjen vetëm kur fillojmë ta duam më shumë shtetin se sa pushtetin!

0
411

Koha në të cilën po bashkëjetojmë, pra në një demokraci akoma të brishtë dhe të pa konsoliduar sa dhe si duhet në kuptimin e krijimit të një sigurie e stabiliteti politikë, e para së gjithash sigurie ekonomike, krijimi i qeverive të reja në Kosovën e pasluftës në pothuajse shumicën e rasteve ishte më shumë produkt i koalicioneve midis liderëve të fuqishëm se sa i programeve ideologjike dhe ofertave faktike sociale e ekonomike, të vendit! Në fakt, në këtë proces të formimit të qeverive, zakonisht apo të paktën përvoja poashtu na ka dëshmuar se këto koalicione tipike formale, e kishin më shumë funksionin dhe synimin e grabitjeve dhe monopoleve të (ri)ndërtuara për klanin dhe grupimin e vetë (jo)ideologjik, se sa interesin e njëmendët shtetërorë dhe protagonizimin e demokracisë qytetare për vendin.

Por, pse ndodhi kështu, shtrohet pyetja e thjesht sociologjike? Arsyet mund të jenë të shumta, por një analizë më e thukët doemos do prodhojë një bindje tjetërfare që pak a shumë duhet të ndërlidhet edhe me rrethanat dhe proceset nëpër të cilat ka kaluar në ndërkohē procesi i shtetndërmit të Kosovēs. Në fakt, ishin, monitorimi (për të mos thënë ndërhyrja!) i mekanizmave ndërkombëtarë; përvoja e shkurtër në demokraci (kalimi prej një sistemi tipik komunist); inatet dhe xhelozitë e dalura nga lufta (krahu i luftës, krahu i paqes); detyrimet e privatizimit (interesat e korporatave të mëdha për ta blerë sa më lirë pasurinë shoqërore); krimi i organizuar (të gjitha të dhënat e Transparency International, kanë folur për një shkallë të lartë krimi të ndërlidhur po me këto elita politike); korrupsioni (gjithashtu i dëshmuar nga sektori i shoqërisë civile lokale dhe asaj ndërkombëtare, etj, etj.) ato problemet përcjellëse, që e ngadalësuan “bioritmin” e demokracisë.

Probleme e situata këto, të ndodhura dhe të testuara aq sa mund të thuhet se shërbyen më shumë si “argumente”, se sa si ndonjë “alibi” konstante (jo për të amnestuar sjelljet e kastës politike, e as për të gjetur “arsyetimet që mund të jenë edhe banale!) në krejt angazhimin tonë për ngrehinën e asaj populistët e identifikojnë si “etikë përgjegjësie” për shtetin, institucionet, demokracinë, etj. Por, kjo mënyrë këndvështrimi e kësisojit nuk nënkupton domosdoshmërisht se tani ne si shoqëri dhe si qytetarë demokrat dhe të emancipuar politikisht, që kemi bë sado kudo një përvojë në ndërtimin e kapaciteteve demokratike institucionale, duhet të vazhdojmë avazin e vjetër të indiferencës dhe pamjaftueshmërisë për t’u interesuar për proceset që do të prodhojnë situatat postzgjedhore. Sepse, nuk besoj që do ndodhë shpejt dhe sigurt ndryshimi (radikal) i dëshiruar dhe i shumëpritur nga qytetaria kosovare.

Shkruan: Fadil MALOKU

Leave a Reply