Vedat Muriqi vazhdon të shkëlqejë në La Liga me fanellën e Mallorcas. Sulmuesi kosovar realizoi dy gola në barazimin 2:2 ndaj Osasunas, duke qenë protagonisti kryesor i ekipit të tij.
Paraqitja e tij e shkëlqyer është vlerësuar edhe nga faqja e specializuar Sofascore, e cila e ka përfshirë 32-vjeçarin në ekipin ideal të javës së 27-të, duke e vlerësuar me notën e lartë 8.6.
“Pirati” nga Kosova e kishte çuar Mallorcan në epërsi të dyfishtë, por skuadra ishullore nuk arriti ta ruajë avantazhin deri në fund.
Muriqi po kalon një sezon fantastik, pasi deri tani ka shënuar 18 gola në La Liga, shifra më e lartë në karrierën e tij në këtë kampionat. Ai renditet i dyti në listën e golashënuesve, pesë gola pas liderit Kylian Mbappé në garën për “Pichichi”.
Sulmuesi kosovar ka hyrë gjithashtu në histori të Mallorcas, pasi ka kaluar rekordin e Samuel Eto’o për numrin e golave të shënuar në një sezon me këtë klub. Në total, Muriqi ka realizuar 52 gola me fanellën e Mallorcas dhe ndodhet vetëm dy gola larg rekordit të Eto’os prej 54 golash./04 Online














































