Ylli i Bayern Munichut dhe i kombëtares franceze, Michael Olise, është përfshirë në një polemikë jashtë fushës së lojës, pasi një grua që pretendon se është nëna e vajzës së tij e ka akuzuar publikisht se nuk po i përmbush detyrimet financiare ndaj fëmijës.
Sipas pretendimeve të gruas, Olise nuk ka kontribuar në mbështetjen financiare të vajzës së tyre dhe, madje, e ka bllokuar në rrjetet sociale, përcjell “Gazeta Express”.
Ajo ka publikuar dokumente dhe mesazhe për ta mbështetur versionin e saj, duke e çuar çështjen në qendër të vëmendjes në mediat sociale.
Nga ana tjetër, futbollisti francez i mohon akuzat. Sipas kampit të tij, çështja është duke u trajtuar në rrugë ligjore dhe janë respektuar procedurat përkatëse, ndërsa pretendimet e bëra në publik nuk e pasqyrojnë të gjithë të vërtetën e rastit, sipas tyre.
Për këtë arsye, ai ka zgjedhur të mos japë komente të mëtejshme derisa procesi të përfundojë.
Për momentin, nuk ka një vendim përfundimtar gjyqësor dhe mbetet një mosmarrëveshje mes dy palëve, të cilat vazhdojnë të mbrojnë versione diametralisht të kundërta mbi rastin.















































