Xherdan Shaqiri ka rikthyer kujtimet nga karriera e tij futbollistike, duke u ndalur edhe te fitorja historike 2:1 ndaj Serbisë në Botërorin e vitit 2018.
Në intervistën për emisionin “Larmandillo” të televizionit zviceran RSI, Shaqiri kujtoi golin vendimtar në minutën e 90-të dhe festimin me shqiponjën dykrenare, së bashku me Granit Xhakën.
Ai zbuloi se para asaj ndeshjeje, familjet e tyre ishin përballur me provokime të shumta.
“Shumë gjëra u shkruan në atë kohë. Familjet tona dhe ne vetë u provokuam jashtëzakonisht shumë nga pala serbe para ndeshjes së Botërorit 2018, sidomos në rrjetet sociale. Kjo krijoi tek ne një uri edhe më të madhe për fitore. Në fund, e vetmja gjë që kishte rëndësi ishte fitorja në fushë”, kishte deklaruar Shaqiri.
Futbollisti me prejardhje nga Kosova foli edhe për periudhat te Bayern Munichu, Interi dhe Liverpooli, ndërsa kur u pyet për mundësinë e karrierës si trajner, u përgjigj: “Nuk e di. Dua të mbetem në futboll”.
Fitorja ndaj Serbisë dhe festimi me shqiponjën mbeten ndër momentet më të veçanta të karrierës së Shaqirit dhe një kujtim i paharruar për shqiptarët./04 Online/














































