Autoritetet britanike i kanë sekuestruar mbi 220 mijë fanella dhe produkte sportive të falsifikuara, me një vlerë që i kalon 18 milionë funte, gjatë një operacioni të zhvilluar përgjatë Kupës së Botës 2026.
Operacioni e kishte për qëllim goditjen e tregtisë ilegale të produkteve sportive dhe mbrojtjen e konsumatorëve, shkruan “The Guardian”, përcjell “Gazeta Express”.
Sipas Policisë për Krimet e Pronësisë Intelektuale (PIPCU), kërkesa e madhe për fanella gjatë Botërorit u shfrytëzua nga rrjetet kriminale, të cilat hodhën në treg mijëra kopje të falsifikuara të fanellave të kombëtareve dhe futbollistëve më të njohur.
Autoritetet e kanë lëshuar edhe një paralajmërim të fortë për tifozët, duke theksuar se fanellat false nuk u nënshtrohen standardeve të sigurisë.
Sipas testeve të kryera nga shërbimet zjarrfikëse në Britani, ato janë shumë më të ndezshme se fanellat origjinale, shkrihen shpejt kur ekspozohen ndaj flakës dhe mund të përmbajnë ngjyra apo materiale të dëmshme për shëndetin.
Përveç rrezikut për konsumatorët, autoritetet britanike theksojnë se tregtia e produkteve të falsifikuara dëmton klubet, federatat dhe prodhuesit zyrtarë, ndërsa fitimet nga këto produkte shpesh përfundojnë në duart e rrjeteve të krimit të organizuar.















































