Ministria e Brendshme thotë se të gjitha rrugët që dërgojnë në pikat e kalimit kufitar janë të kalueshme

0
98

Bora ka mbuluar Kosovën, dhe kështu në këtë fund nëntori ka zënë në befasi institucionet përgjegjëse për pastrimin e rrugëve dhe magjistraleve, shkruan Reporteri.net.

Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar ka njoftuar se pavarësisht borës që ka rënë, të gjitha rrugët në pikat kufitare janë të kalueshme.

Sipas të dhënave të publikuar nga kjo qendër, magjistralet që shpien në kufi, janë të kalueshme, nuk raportohet për borë, akull, mjegull apo rrëshqitje dheu.

Reporteri.net raportoi sot se magjistralja Prishtinë-Pejë është thuajse e bllokuar nga bora dhe këtë e tregojnë videot e publikuara ku shihet se si disa kamion fare nuk mund të lëvizin.

Ndërkaq, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se për të shtunën temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius.

Ndryshe, Policia u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve që të kenë kujdes të shtuar në trafik me fillimin e sezonit dimëror.

“Policia e Kosovës apelon për të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar për fillimin e sezonit dimëror ku ndryshimet atmosferike janë të pranishme. Sigurohuni që gomat e mjetit tuaj janë ndërruar para fillimit të sezonit dimëror, gjithashtu presioni i ajrit të tyre duhet të jetë sipas rekomandimeve të prodhuesit, në temperaturat e ulëta!”, thuhet në njoftimin e Policisë. 

Leave a Reply