Ministri i Mbrojtjes: Dronët ‘Bayraktar’ i kemi testuar, përveç tyre janë blerë edhe shumë sisteme të armatimit

0
129

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi se dronët “Bayraktar” të blerë nga Turqia, tanimë kanë fluturuar mbi qiellin e Kosovës, si testim nga Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Po ashtu, Maqedonci tha se përveç dronëve, janë blerë edhe shumë sisteme tjera të armatimit e municioneve.

“Jo vetëm dronët, por të gjitha sistemet e armatimit që i kemi në dispozicion, testohen në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Po ashtu, përdoren edhe për t’u trajnuar, ushtarët trajnohen për të operuar si mjet, po edhe si ekip. Byraktarët kanë fluturuar mbi qiellin e Kosovës. Jo vetëm dronët Bayraktar, por janë blerë shumë sisteme të armatimit, shumë municione dhe në aspektin e automjeteve taktike të cilat kanë qenë të planifikuara të blihen në faza më të vonshme”, deklaroi Maqedonci.Më tej, Maqedonci tha se nga mbështetja e vazhdueshme e Qeverisë Kurti, blerja e këtyre dronëve është blerë para kohe, madje me buxhet shtesë.

“Nuk mund të thuhet çështja e numrit apo çështjet teknike të blerjes së dronëve “Bayraktar”. Mund të themi që është kapacitet që është i planifikuar në tabelën organizative të pajisjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Pra, është një kapacitet i parashikuar më herët dhe që është blerë para kohe si mbështetje që e kemi pasur nga Qeveria e Kosovës, pra nga kryeministri Kurti, me buxhet shtesë në këtë çështje”, shtoi tutje ministri i mbrojtjes në Tëvë1.

Kujtojmë se Ushtria e Kosovës është përforcuar me dronë “Bayraktar” TB-2 të blerë nga Turqia, që tashmë janë pjesë e arsenalit të FSK-së.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti, ka thënë se me blerjen e dronëve do të rritet siguria në Kosovë.

Leave a Reply