Vaksinimi pritet të fillojë këtë javë, kështu do të ndahen dozat e para

0
318

Kryetarët e komunave kanë biseduar sot me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, rreth shpërndarjes së vaksinave anti-Covid, të cilat kanë arritur të dielën në Kosovë

Express mëson se në takimin virtuar të Vitisë me kryetarët e komunave, është thënë se dozat e para të vaksinave do të shpërndahen te stafi mjekësor dhe te të moshuarit mbi 80-vjeç.

“Diskutuam rreth shpërndarjes së dozave të para të vaksinave. 13 mijë doza do të shpërndahen për stafin mjekësor, 11 mijë për personat mbi moshën 80 vjet dhe që kanë sëmundje kronike”, kanë deklaruar burime të gazetës.

Vaksinimi pritet të fillojë brenda kësaj jave, pasi stafi mjekësor për dhënien e vaksinave tashmë është trajnuar.   

“Vaksinat kanë me u dhënë nëpër komuna, nëpër qendra të mjekësisë familjare. Në prishtinë në sallën 1 Tetori. Komunat janë të gatshme për tëe filluar sepse ështe trajnuar stafi për dhënien e vaksinave dhe besojmë se vaksinimi do të fillojë gjatë kësaj jave”, ka deklaruar ky burim.

Ndryshe, të dielën ka ardhur kontigjenti i parë i vaksinave antiCOVID-19 nga COVAX.

Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Fillimisht do të vaksinohen punëtorët e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare.

Nga COVAX-i, në total Kosova do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë AstraZeneca.

Autoritetet kanë miratuar një Plan të vaksinimit i cili është i ndarë në tri faza.

Në fazën e parë, sipas këtij plani do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare). Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.

Faza e dytë përfshihen grupmoshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind e popullsisë.

Për fazën e parë dhe të dytë, sipas Planit për vaksinim, do të përdoren vaksinat që Kosova do të marrë nga programi COVAX.

Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.

Më herët, autoritetet kanë thënë se do të përdorin sallën “1 Tetori” në Prishtinë si qendër të vaksinimit.

Leave a Reply