S’e ka lehtë Hoti, miratimi i buxhetit për 2021, sfida e radhës e tij

0
328

Pas Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, sfidë tjetër për Qeverinë e Hotit, do të jetë edhe miratimi i buxhetit për vitin 2021 në Kuvendin e Kosovës.

Buxheti për vitin ardhshëm pritet të jetë 2.4 miliardë euro ose 200 milionë më pak se sivjet.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, i ka thënë KosovaPressit, se janë në finalizim të përgatitjes së Projektligjit të buxhetit dhe beson se do t’i kenë numrat e mjaftueshëm në për miratim Kuvend.

“Koalicioni qeverisës i ka numrat në Kuvend, ka më shumë se 61 numra. Unë besoj që edhe projektbuxhetin, do ta votojnë deputetët në Parlament”, tha Bajrami.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit parlamentar për buxhet dhe transfere, Hekuran Murati, që vjen nga partia më e madhe opozitare, thotë për KosovaPressin, se edhe për projektbuxhetin 2021, kjo qeveri nuk do t’i ketë numrat e mjaftueshëm për votim.

“Nëse një qeveri s’i ka së paku 61 vota nuk do të duhej të ekzistonte marrë parasysh që kemi edhe projektligje të tjera që sjellën në Kuvend. Andaj, nuk mund të pritet që në vazhdimësi që opozita ta mbajë qeverinë në këmbë. Tash pas një muaj do ta kemi edhe projektligjin e buxhetit, pra s’i mendojnë nëse si kanë 61 vota, si mendojnë ta kalojnë edhe atë projektligj që është krucial për funksionimin e një qeverie. Sfidë do të jetë në vazhdimësi, për secilin projektligj”, thotë Murati.

E kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, kërkon që buxheti i vitit të ardhshëm të jetë zhvillimor dhe për trajtimin e nevojave të ekonomisë për trajtimin e pasojave të pandemisë.

“Ajo që është me rëndësi të theksohet është që duhet me pasur me shumë investime kapitale në mënyrë që të ketë efekt të brendshëm në ekonomi, në të njëjtën kohë të ketë edhe masa tjera lehtësuese për biznese dhe forma të ndryshme të përkrahjes financiare për bizneset të cilat nuk do të rikuperohen së paku jo deri në fund të vitit 2021. Kjo varet edhe nga kohëzgjatja e pandemisë. Duhet të jetë një buxhet fleksibil në kuptim të nevojave që munden me ndryshua brenda ekonomisë së vendit”, thotë Rukiqi.

Drejtues të Ministrisë së Financave kanë thënë se deri në fund të këtij muaj kur është afati i fundit do ta procedojnë për miratim Projektligjin për buxhetin në Qeveri.

Leave a Reply