Rritja e rasteve me COVID-19, a do të mbyllen shkollat në Kosovë?

0
474
Foto: Arkiva

Rritja e rasteve të reja me COVID-19 ka bërë që shumë shkolla të Kosovës të mbajnë mësim konform udhëzimeve, në këtë rast, skenareve të parashikuara nga Instituti Kombtar i Shëndetit Publik, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit, shkruan GazetaBlic.

Që nga hapja e shkollave, e deri më tani, 130 nxënës dhe 148 mësimdhënës kanë rezultuar pozitivë për virusin korona, duke bërë kështu që 14 shkolla të vendit të zhvillojnë mësimin në skenarin C.

Në një bisedë për GazetaBlic, kryetari Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jashari, përkundër shpeshtimit të rasteve të reja me koronavirus nëpër institucionet shkollore, ka thënë se SBASHK-u është që mësimi të vijoj nëpër shkolla.

“Si SBASHK jemi angazhuar dhe mirremi me gjendjen se sa po respektohen masat që i kanë dhënë IKSHPK dhe MASH-i, e po ashtu interesohemi se a po sigurohen mjete mbrojtëse për COVID-19. Ne SBASHK-u urojmë që mësimi të vazhdojë kështu edhe përkundër rasteve që fatkeqësisht janë duke u shtuar. Ajo që dihet nga Task-Forcat është se të vazhdohet me mësim në shkolla, e aty ku paraqiten rastet duhet të respektohen rregullat që i ka përcaktuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Aty, ku ka raste pozitive me COVID-19 tek nxënësit dhe mësimdhënësit të kalohet në mësim online, i cili është goxha i vështirë ngase një pjesë e nxënësve kanë pasur probleme për kyçje”, ka thënë ai.

“Mësimdhënësit e Kosovës janë të angazhuar maksimalisht që mësimi të vijoj në shkolla, por edhe ne do të veprojmë sipas IKSHPK-së, që përcakton masat anti-covid. Urojmë që të mos rritet numri, pasi pjesë-pjesë mund të vije koha që të kalohet mësimi online”, tha Jashari.

Viti i ri shkollor në institucionet para-universitare në Kosovë, ka filluar më 14 shtator, me prezencë fizike të nxënësve në shkolla, por duke respektuar rekomandimet për mbrojtjen nga pandemia e koronavirusit: mbajtjen e maskës, distancës dhe higjienën personale.

Për këtë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, tashmë ka përgatitur tre skenarë për mbarëvajtjen e procesit mësimor, që do zbatohen nga komunat, varësisht gjendjes epidemiologjike me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi.

Leave a Reply