OBSH paralajmëron Evropën: ‘Stuhia’ e Indisë mund të vijë te ju

0
74
Foto: Ilustrim

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi vendet evropiane se lehtësimi i masave kundër përhapjes së koronavirusit mund të shkaktojë një “stuhi” të rasteve të reja me COVID-19, siç po ndodh në Indi.

Situata e rëndë epidemiologjike në Indi, sipas ekspertëve është rezultat edhe i tubimeve masive.

Kreu i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, u tha gazetarëve të enjten se vendet nuk duhet të bëjnë gabim duke relaksuar kufizimet shumë shpejt.

“Kur masat mbrojtëse relaksohen, pastaj ka tubime masive, dhe kur ekzistojnë variantet më ngjitëse të virusit në kohën kur shkalla e vaksinimit është ende e ulët, atëherë kjo mund të krijojë një stuhi në çdo vend”, tha Kluge.

“Është shumë e rëndësishme të kuptohet se situata në Indi mund të ndodhë kudo”, shtoi ai, shkruan Rel.

I ashtuquajturi variant indian i koronavirusit – ose B.1.617 – është duke përfshirë gjithë Indinë, por OBSH-ja ende nuk e ka konfirmuar nëse është më i transmetueshëm apo më vdekjeprurës sesa llojet e tjera të virusit.

Ekspertët kanë thënë se tubimet e mëdha në ndeshjet sportive ose dasmat, janë pjesërisht shkaktare për shpërthimin e rasteve me koronavirus.

Kluge tha se procesi i imunizimit është në rritje në rajonin evropian, dhe llogaritet se shtatë për qind e popullsisë tani është plotësisht e vaksinuar.

Leave a Reply